Me rastin e 24-vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa me anëtarët e Kryesisë së LDK-së bënë sot homazhe te varri i Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se sot po i bëjnë nderin presidentit dhe kryetarit Dr Ibrahim Rugovës dhe të gjithë atyre që kontribuan për periudhën 24 vjeçare në mënyrë që vepra e tyre të vazhdoj edhe më tutje.
“Ne sot po i bëjmë nderin presidentit tonë dhe kryetarit të LDK-së, por po ashtu po i bëjmë nderin edhe gjithë punës që veprimtarët e Lidhjes Demokratike e kanë bërë gjatë kësaj periudhe 24 vjeçare, ata që janë gjallë dhe ata që s’janë gjallë së bashku me ne, në mënyrë që vepra e tyre të vazhdojë edhe më tutje si vepër e ndërtimit të shtetit demokratik dhe një shteti të integruar në Bashkimit Evropian”, tha Mustafa.
LDK u formua më 23 dhjetor të vitit 1989 në Prishtinë nga një grup intelektualësh. Ibrahim Rugova ka qenë kryetar i partisë që prej themelimit dhe deri në janar 2006, kur edhe u nda nga jeta.