Sot, Lidhja Demokratike e Kosovës- Dega Gjilan, mbajti konferencë për medie në të cilën qëndrimet i paraqitën anëtarët e Kuvendit Komunal, Avdyl Aliu, shef I Grupit të Këshilltarëve dhe Drenushë Maloku, anëtare e Kuvendit.
Shefi i Grupit të Këshilltarëve në Kuvendin Komunal, Avdyl Aliu, kritikoi qeverisjen e re e cila jo që nuk ka inicuar projekte të reja por as nuk i ka vazhduar projektet tona të cilat kanë mbetur të papërfunduara.
Sipas tij: punën e deritanishme të kësaj qeverisje e karakterizojnë shkeljet e mëdha të ligjeve dhe rregulloreve, andaj edhe e cilësojmë si “qeveri e guximit me këmbë të forta”.
ME TEJ Aliu ka thënë:
Ka filluar me shkelje Kuvendi Komunal dhe ashtu edhe po vazhdon.
– Subvencionimi i transpotuesve Publik “Anamorava” (50% – 50%)
– Subvencionimi i klubeve sportive sipas rezultateve të arritura
– Anulimi i akteve nga MAPL për shkak të procedurave jo të rregullta
Merreni me mend, rrezikon të dështoj fillimi i punës në këtë vit shkollor i Shkollës së Muzikës për një trafo.
Komuna e Gjilanit gjithmonë deri më tani ka shërbyer si model për komunat tjera për praktika të ndryshme, do të thotë, komunat e tjera kanë marrë përvoja në Komunën e Gjilanit, e tani ndodh e kundërta. Për një lëndë në kadastër që ka të bëjë me dhënien në shfrytëzim afatgjatë të një sipërfaqe për trafo për Shkollën e Muzikës, komuna e Gjilanit shkon e merr përvojë në komunën e Prizrenit dhe kur shkon kjo në MAPL kthehet si e parregullt. Lënda mbahet në sirtar pa e ditur se çka duhet të bëhet dhe kështu pas disa muajsh vjen në Kuvend për përgatitje, edhe njëherë prej fillimit. Janë kryer këso punë shumë në të kaluarën, pa asnjë problem, edhe tash ka mund të ndodhë e njejta, sepse si në gjithë Komunën edhe në Kadastër, kryetari Hyseni ka trashëguar një administratë të shkëlqyeshme dhe shumë profesionale. Mirëpo, duke mos i besuar kësaj administrate, shkohet në Prizren për të marrë përvoja atje.
– Injorohen komitetet dhe mungon funksionalizimi i duhur i tyre si trupa profesionale, duke vendosur për çështje të ndryshme pa i filtruar mirë çështjet në komitete sepse komitetet nuk janë trupa vendimmarrëse por vetëm se rekomanduese.
– Nuk konsultohet fare dhe injorohet tejmase nga kryetari Hyseni dhe drejtorët Këshilli i Ekspertëve të Planifikimit në çështje të ndryshme, p.sh, në anulimin e PZHK-së, anulimin e Rregullores për Leje të Përkohshme Ndërtimore dhe sidomos në çështjet e kohëve të fundit duke përfshirë lokalcionin e panairit, çështjen e vendkalimit për këmbësorë dhe varrezat për kafshët e ngordhura.
– Puna e Kuvendit Komunal ka degraduar tejmase. Në seancën e fundit kur ishte në rend të ditës Raporti Financiar Janar- Qershor i kryetarit të Komunës, edhe pse e ka obligim dhe përgjegjësi ligjore sipas LVL dhe konkretisht sipas nenit 58, kryetari bëhet nervoz nga pyetjet për të cilat nuk kishte përgjigje dhe me një pretekst banal, demostrativisht dhe pa ndonjë arsye të qëndrueshme e lëshon mbledhjen duke i lënë 35 këshilltarë të habitur me daljen, madje edhe ata të koalicionit qeverisës. Ftohet vazhdimi i seancës dhe prapë nuk ka përgjigje në kërkesën e grupit më të madh në Kuvend dhe opozitës në përgjithësi që të shprehë keqardhje dhe një kërkim-falje eventuale për injorancën ndaj tyre. E gjithë kjo, sipas nesh, është nga paaftësia për tu përballur me çështjet e ngritura dhe shumë të arsyeshme.
Kuvendi ka dështur dhe po dështon që ta obligojë qeverisjen komunale të përgjigjet ndaj kërkesave të tona për transparencë duke kërkuar qasje në dokumente zyrtare, e drejtë kjo e garantuar me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike. Përgjigjet kthehen shumë vonë, shumë jashtë afatit ligjor që është 7 ditë, por ne do presim. Këtu është fjala konkretisht për shpenzimet e karburanteve të veturave të cilat me gjasë janë dyfish më të mëdha se sa në 6 muajshin e parë të 2021. Është për t’u habitur se si nuk ndërmerr diçka kryetari i Komunës, kur për një ditë drejt një vendi udhëtojnë katër zyrtarë me vetura të ndryshme, në vend se të udhëtojnë të gjithë me një veturë për të kursyer karburatin.
Jemi dëshmitarë të një krenarie të madhe të kryetarit i Komunës i cili e kishte ndërprerë kontratën për ndërtimin e Stadiumit të Qytetit mu në ditën kur F.C Drita po e priste ndeshjen historike me Antëerp. Në vend se të angazhohet për rifillim dhe vazhdim sa më të shpejtë të punëve, atij më lehtë i është dukur që ta ndërprejë këtë kontratë. Kemi dyshimet tona se me këtë rast është bërë shkelje e madhe prandaj edhe kemi kërkuar qasje në dokumente zyrtare si:
1. Aktin e shkëputjes së kontratës për punët ndërtimore
2. Rekomandimet nga ekspertët e prokurimit për këtë shkëputje
3. Rekomandimet e Auditorit të Brendshëm
Vlen të theksohet edhe fakti se sipas njohurive dhe informatave tona, nuk është bërë paraprakisht prerja e punëve të kryera deri në atë moment, e kjo do të duhej të ishte bërë përmes një Komisioni të veçantë, i cili edhe do të duhej të kishte përgatitur një raport për atë që eshtë bërë dhe për atë që nuk është bërë nga kontrata.
Dyshimet janë për një marrëveshje të dëmshme për Komunën e Gjilanit nga aspekti i realizimit të ndërtimit të stadiumit, poashtu, edhe nga aspekti financiar, duke hequr dorë nga mundësia e vazhdimit të procesit gjyqësor dhe e lëshimit të referencës negative për këtë operator, dhe sidomos duke hequr dorë edhe nga konfiskimi i garancionit për siguri të tenderit, e krejt kjo në dëm të Komunës së Gjilanit.
Çështje tjetër e kësaj konference është edhe përgatitja e anulimit të një vendimi të qeverisjes së kaluar që ka të bëjë me lokacionin e varrimit të kafshëve të ngordhura. Ekziston një lokacion i tillë nga mandati i kaluar me të gjitha kriteret e përmushura, aty me gjasë ka edhe disa raste të varrosura. Lokacioni i përmbush të gjitha kriteret; është mjaftueshëm larg vendbanimeve, është pronë komunale, ka qasje të mirë për të gjitha fshatrat e komunës, nuk ka rrjedhje të ujrave nëntokësore dhe me një fjalë është përzgjedhur nga komisioni profesional ku pjesë e komisionit kanë qenë edhe përfaqsues nga AVUK.
Pretendimet janë që lokacioni tjetër të jetë Stublina, një fshat kufitar i cili ka nevojë të përkrahet edhe më tutje në tendencën e bërjes një fshat turistik me një natyrë të shkëlqyeshme.
Ekziston një kundërshtim i paparë ndaj kësaj iniciative për këtë varrezë të kafshëve. Ka edhe një peticion nga banorët e Stublinës, prandaj do të duhej që fillimisht t’i takonte kryetari i Komunës dhe të organizonte për këtë rast debat publik ekskluzivisht me banorët. Ne i kemi paraqitur qëndrimet tona dhe qëndrojmë pranë asaj se çështja e lokacionit veç është çështje e mbyllur.
Problem tjetër dhe shqetësim i madh është edhe rritja e çmimit të qirasë së tregtarëve. T’ju përkujtojmë se në mandatin e kaluar ka qenë një çmim prej 3.5 euro /m² që mundemi me thënë se ka qenë e arsyeshme, ndërsa tani është vendosur çmimi prej 8 euro/m² , e që ne konsiderojmë se është i papërballueshëm për ta, duke e ditur se sa mund të kenë punë në atë lokacion. Propozimi ynë dhe projeksionet tona për këtë çështje kanë qenë që të lihen për së paku 4-5 muaj pa pagesë dhe për atë kohë të shikohet sa po punohet dhe të analizohet mirë situata, e tek pastaj të vendoset se cili do të ishte çmimi i përballueshëm për ta, ka qenë deklarimi i shefit të Grupit të Këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin Komunal, Avdyl Aliu.
Shqetësimet e Degës së LDK-së për disa aspekte i ka paraqitur edhe asambleistja, Drenushë Maloku.
Sipas saj, “Gjilani Deep&Tech Festival” ne e kemi duartrokitur, por mënyra e organizimit lë shumë për të dëshiruar. Një Festival i organizuar sipas dëshirës së tyre e pa konsulta me askënd rreth lokacionit dhe të bëmave që ia shkaktuan ambientit. Shpenzim 11.000 € për një Festival që dështoi disa orë para se të fillonte, devijim i shtratit të lumit, shkelje e Ligjit mbi Ujërat e Kosovës e shumëçka tjetër që si përfundim kishte dështimin e festivalit pa asnjë paralajmërim më herët.
Me tej maloku ka thënë:
Qytetarët kanë blerë biletat e janë përgatitur për të qenë pjesë e këtij Festivali dhe askush nuk ua dha asnjë arsyetim, as kryetari i Komunës e as Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport. Nuk ka as edhe një fjalë të vetme se çka do të bëhet me gjithë atë zhavor që është hedhur aty, a do të kthehet dhe a mund të kthehet natyra dhe lumi ashtu siç kanë qenë?
Mos nënshkrimi i kontratës me Caritas duke i lënë pa punë shumë mjekë dhe infermierë në kohën kur kemi nevojë të jashtëzakonshme për ta, është e pafalshme. Kjo bëhet në këtë kohë kur edhe pritet të ketë një valë të re të të infektuarve me COVID 19. Duke lënë pa punë stafin shëndetësor, ka filluar që me kontrata mbi vepër, të deklaruara nga ai si të jashtëligjshme, të shpërblejë militantët e partisë së tij.
Gjendje e mjerueshme me higjienën është në Shkollën e Mesme të Agrobiznesit dhe Teknologjisë ”Arbëria” e cila shfrytëzohet edhe nga DKA. Gjithashtu, gjendje jo më e mirë është edhe në Bibliotekën e Qytetit, në të cilën i gjithë pastrimi kryhet vetëm përmes ujit, pa detergjente të nevojshme, kurse në shkollën “Arbëria” edhe ujë të mjaftueshëm nuk kanë, madje detyrohen ta bartin me shishe për nevoja personale ose të shfrytezojnë tualetet e shtëpive dhe lokaleve afër. Kjo është e papranueshme nga nxënësit e asaj shkolle dhe stafi i DKA.
Ndërkaq, ne deklarohemi përsëri, ashtu si në fillim të këtij mandati, që do jemi opozitë kontruktive dhe do japim ndihmën tonë sa herë që është nevoja. Kurse, jemi në pritje të fillimit të realizimit të paktën të ndonjërit nga 109 premtimet që i ka dhënë kryetari i Komunës në fushatë elektorale.
Është për keqardhje që gjilanasit po përballen me qeverisje shkel e shko, me bllokim të projekteve të kaluara e mos realizim të asnjë prej 109 premtimeve, ka përfunduar Drenushë Maloku e LDK-së. /2LONLINE/