Vetë themelimi i i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk ishte parti e themeluar në kafene, ajo është histori apo ngjarje që luftoi padrejtësinë, nënçmimin, persekutimin e shqiptarëve. Përkundrazi, atë e detyruan rrethanat e kohës, siç ishin ato pas rrënimit me dhunë të autonomisë së Kosovës nga Serbia të vitit 1989 kur u përcollën me një gjendje të ashpër terrori dhe instalimin e regjimit pushtues serb.
Nga: Rashit Sahiti
Historia e themelimit të LDK-së, daton qysh tridhjetë vite më parë, duke e përmendur ish- kryetarin e kësaj partie dhe presidentin e parë të Kosovës, pas luftës, të ndjerin Ibrahim Rugova i cili së bashku me intelektualët dhe veprimtarët e shquar të kohës, morën iniciativën për themelimin e lëvizjes së parë anti-komuniste dhe pro-perëndimore, në këtë pjesë të Evropës Juglindore, në kohën kur popujt e shtypur të Evropës e ngritën zërin kundër shtypjes së gjatë disa dekada, të sistemeve komuniste dhe po kërkonin lirinë e fjalës, pluralizmin politik dhe hapjen ndaj botës demokratike perëndimore. Lidhja Demokratike e Kosovës në kohën e pushtimit, organizojë rezistencë ndaj okupimit dhe pushtetit serb, të pa shënuar deri më tani në këtë pjesë te Evropës dhe unike për kulturën dhe traditën tonë.
LDK-ja ka luajtur rol vendimtar ne çdo faze te ndërtimit te shtetit te Kosovës. Historia e LDK-se është ne fakt historia e popullit të Kosovës për liri e pavarësi, duke filluar nga rezistenca paqësore, lufta e armatosur, protektorati ndërkombëtar, pavarësia dhe ndërtimi i shtetit. LDK-ja tridhjetë vjetorin e themelimit të saj, shumë shpejt po e shënon me një qeverisje të re të vendit, po e shënon si anëtare e familjes së madhe të Partive Popullore Evropiane, me grupin e saj parlamentar më të madhin prej deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe me lidership në shumë komuna të Kosovë, e shtrirë në tërë territorin e Kosovës dhe në diasporë, me Forumin e Gruas, Forumin e Rinisë etj.
LDK ka themele të forta, nga anëtarësia besnike, simpatizantët dhe votuesit e saj të përkushtuar dhe për lidershipin që gjithherë mbajti kursin e saj shtetformues e të qendrës së djathtë dhe arriti të kapërcej sfida jo të lehta të ndërtimit demokratik të vendit. Ajo ishte që organizoi sistemin e arsimin shqip në Kosovë në shtëpi private, organizuam shëndetësinë, rezistencën dhe çlirimin e vendit.
Ishin shumë luftëtarë, veprimtarë dhe simpatizantë të LDK-së që u flijuan për çlirimin e atdheut.LDK ishte ndër partitë politike më masive në historinë politike të Evropës Juglindore. Arsyeja ishte e thjeshtë: populli i besoi lidershipit dhe vizionit të LDK-së, sepse LDK u formua nga pjesa më e ditur, më e ngritur dhe më e moralshme e shoqërisë kosovare nga intelektualët e saj.
Rugova ka dhënë kontribut historik në zhvillimin e LDK-së dhe në zhvillimin e idesë për liri dhe pavarësi të Kosovës, duke afirmuar Kosovën në arenën ndërkombëtare, ndërsa me shpirtin e tij humanitar, me idetë e me dijen e tij kontriboi që Kosova të respektohet edhe në momentet më të vështira nga vende e tjera. Kreu historik i LDK-së, dr. Ibrahim Rugova, me politikën e urtë e vizionare, e bëri LDK-në forcën më të madhe të integrimeve shqiptare, çështjen e Kosovës e bëri çështje me interes evropian e amerikan dhe krijoi miq e aleatë kudo në botën demokratike. LDK-ja e promovoi Republikën e Kosovës si shoqëri e shtet të vlerave, me filozofi të integrimeve rajonale e euroatlantike, duke e rikthyer vendin në shtratin kulturor e politik të Perëndimit, si vend evropian.
Ndaj, ne sot si LDK duhet që me frymën e unitetit, me organizimin dhe shtrirjen e madhe në terren, dinamizojmë frontin kundër të keqes dhe njëkohësisht shpalosim opsionet tona moderne dhe zhvillimore, qasjen tonë reale, me duar të pastra, duke iu shmangur demagogjive dhe popullizmave që po i përdorin partitë tjera.
LDK-ja me intelektualët e saj, do të ekzistojë sa të ekzistojë Kosova, do të ekzistojë përjetësisht, për shkak se ne nuk jemi të themeluar pas luftës, ne jemi themeluar, kemi bërë rezistencë e luftë me penë, për të arritur deri te lufta dhe çlirimi i saj i përjetshëm. Duke trashëguar një histori shumë domethënëse, ne tani po e ndërtojmë vendin mbi bazën e sfidave me të cilat po ballafaqohemi dhe mbi bazën e orientimeve që i kemi si LDK. LDK do të jetë lokomotivë e zhvillimit dhe shtet ndërtimit, e asnjëherë “patericë” e nxënëseve të saj, të cilët kanë lindur vonë. LDK-në do ta trashëgojnë brezat! Urime tridhjetë vjetori !
/Autori është kryetari i nëndegës së LDK-së në Malishevë/