Dega e Lidhje Demokratike të Kosovës ka mbajtur sot konferencën e fundivitit ku anëtari i Kryesisë së Degës, Shkëlzen Ibrahimi tha se po i paraqesin 50 dështimet monumentale të qeverisjes së VV-së në Gjilan
Ibrahimi ka paraqitur problemet me shenjëzim vertikal e horizontal të rrugëve, shkeljet ligjore, sipas tij, te PZHK-së që janë vepra penale si në rastin te lumi Stanishorka, rizhvillimi i qendrës, ndërsa auditimi i Komunës pasqyron keqqeverisjen dhe abuzimin me kuletën e popullit.
Kryetari i Degës së LDK-së, njëherësh nënkryetar në nivel qendror, Lutfi Haziri, tha se këto shkelje do t’i prezantojnë në organet e hetuesisë për shkak të shkeljeve flagrante.
“Sot prezantuam 50 dështimet munumentale të qeverisjes së udhëhequr nga VV-ja në Gjilan, të cilat do t’i adresojmë tek organet e hetuesisë për shkeljet flagrante. Skandali i blerjes së kamionit pa procedura të rregullta, pasqyron mentalitetin e kësaj qeverisje. Raporti i auditorit është më i tmerrshmi në histori të Komunës së Gjilanit që nga paslufta dhe si pasojë e kësaj Komuna përjashtohet nga grantet e institucioneve të fuqishme të BE-së dhe nga bashkëpunimi ndërkufitar. Pabarazia në investime qytet-fshat është tepër shqetësuese, ndërsa edhe më shqetësues është fakti se vetëm në 11 fshatra dhe në shtatë lagje është planifikuar buxhet për vitin 2024”, tha Haziri, për të shtuar se listën e dështimeve do të vazhdojnë ta shpalosin çdo ditë. /2LONLINE/