Lëvizja për bashkim (LB) në një deklaratë me shkrim thotë se bisedimet Kosovë-Serbi nuk kanë prodhuar asgjë të mirë! Përkundrazi, sipas LB-së, ato kanë komplikuar edhe më shumë çështjet që kanë mbetur të pazgjidhura në mes të Kosovës dhe Serbisë. Dhe nuk ka pasur si të jetë ndryshe! Problemi i rëndë i Mitrovicës dhe fshatrave shqiptare përreth nuk është shtruar fare për bisedime si një çështje e spastrimit etnik të shqiptarëve, por si një çështje serbe dhe ka prodhuar diçka të padrejtë e të paqëndrueshme – Komunën serbe të Mitrovicës së Veriut!
Problemi tjetër poashtu i rëndë i Kosovës Lindore, respektivisht i Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës as që është shtruar fare për bisedime! Pra, në këto bisedime, ky problem është trajtuar ose si joekzistent, ose si çështje e brendshme serbe! Në këto bisedime faktikisht është biseduar vetëm për serbët e Kosovës dhe atë duke u mohuar në vazhdimësi pavarësia e Kosovës!, thuhet në vazhdim të deklaratës së LB-së.
Problemi dhe kushtëzimet e daljes së serbëve në zgjedhje, problemi i pamjes së fletëvotimeve, vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë dhe deklaratat e tyre antishqiptare janë rrjedhojë logjike e këtyre bisedimeve të palogjikshme.
Lëvizja për Bashkim deklaron edhe njëherë se pa zgjidhjen e çështjes së Mitrovicës e të Kosovës Lindore nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Përkundrazi, këto raporte do të shkojnë duke u ashpërsuar.