Xhelal Hajrullahu, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Vetëvendosjes thotë se në seancën e fundit të Kuvendit, ka ngritur shqetësimin që, siç thotë ai, e kanë 12 punëtorët e larguar nga vendi i tyre punës nga Ndërmarrja Publike Lokale “Tregu”, pjesë e së cilës kanë qenë në marrëdhënie pune që nga qershori i vitit 2017.
Ai ka thënë se po të njëjtit punëtorë edhe më herët ishin larguar edhe nga kompania tjetër publike private “Ecohigjiena” pasi që kompania “Tregu” në atë kohë kishte qenë pjesë e kësaj kompanie.
Më tej Hajrullahu i Vetëvendosjes thotë edhe se:
“Arsyen e largimit të punëtorëve, Nënkryetari i Komunës së Gjilanit z. Arber Ismajli, për një gazetë ditore e jep në këtë formë: Këta punëtorë nuk janë më pjesë e kompanisë “Tregu” për arsye se kontratat e tyre kanë qenë kontrata mbi vepër dhe vazhdimi i tyre ka qenë në kundërshtim me procedurat ligjore.
Mirëpo, një dokument i lëshuar nga zyra e kryetarit të datës 19 prill 2017, e demanton z. Ismajli, ku ndër të tjera në paragrafin e fundit thuhet kështu:
Ne ju falënderojmë për bashkëpunimin e deritanishëm dhe kërkojmë që përfaqësuesit e NPL “Tregu” dhe përfaqësues nga “Eco- Higjiena” në një takim të përbashkët të diskutojnë në lidhje me punëtorët të cilët kanë qenë në kuadër të Eco Higjienës të bartën të NPL “Tregu”.
Gjithashtu, të bëhet prerja e inkasimeve nga themelimi i ndërmarrjes sipas vendimit të Qeverisë.
Ky dokument e dëshmon se duhet të bëhet risistemim i këtyre punëtorëve pa pasur nevojë të hapet konkurs për ta”.
Hajrullahu i Vetëvendosjes thotë tutje se megjithatë u shpallë Konkursi për plotësimin e vendit të punës nga NPL “Tregu”, i datës 05.06.2018, për 8 pozita, nga 12 sa ishin sosh, qe do të thotë se katër pozita mungojnë në këtë konkurs. E ajo që e bënë të duket qesharake por në të njëjtën kohe edhe diskriminuese janë kushtet për punësim me të njëjtën strukturë kualifikuese : shkollim i mesëm, të ndryshme nga titulli i pozitës.
“Shpallja e konkursit le me nënkuptua se për këto pozita të lira po përgatiten për militantët e partisë në pushtet, përkatësisht të LDK-së, siç është edhe vetë NPL “TREGU” i politizuar”, thotë ndër tjerash ai.
Hajrullahu i Vetëvendosjes ka bërë me dije se kërkon nga NPL TREGU dhe komuna që të anulojnë këtë konkurs, punëtorët të kthehen në vendin e tyre të punës, sepse këtyre punëtorëve u është premtuar vazhdimisht se do të bëhet zgjidhje për ta, janë punëtorë që punojnë me vite të tëra si shërbyes publik të kësaj komune, dhe këto detaje teknike arrihen me u tejkalua nëse ka vullnet komuna.