Në prani të Kryetarit të Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, Forumi për Transparencë Komunale, ka prezantuar Planin për Qeverisje të Hapur të Komunës së Kamenicës.
Në kuadër të këtij takimi të pranishme kanë qenë edhe Kryetarja e Forumit për Transparencë Parlamentare, deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës Arbëreshë Kryeziu-Hyseni si dhe Kryetarja e Forumit për Transparencë Komunale, asambleistja e Kuvendit Komunal Donjeta Ismajli.
Përgjatë këtij takimi është prezantuar Plani i Veprimit, duke u thënë se ky plan përqafon vlerat dhe kriteret e OGP-së (Open Government Partnership) si dhe për qëllim ka që të ndihmojë Komunën e Kamenicës në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve.
“Një plan i tillë tregon qartë përkushtimin tonë për qeverisje të hapur dhe transparente”-ka thënë Kryetari Rahimaj duke përshëndetur punën e Forumit për Transparencë.
Nëpërmjet një videomesazhi Forumit i është drejtuar edhe Ambasadorja e NDI në Kosovë Nancy Soderberg e cila ka vlerësuar lartë punën e Kryetarit Rahimaj në shtrirjen dhe konsistencën e veprimit në raport me transparencën, llogaridhënien e përfshirjen qytetare, duke e bërë këtë një nga synimet kryesore të punës së tij.
Kujtojmë se Komuna e Kamenicës ka themeluar Forumin e parë Komunal për Transparencë në vend, dhe përgjatë gjithë këtij procesi, ndihmues ka qenë NDI (National Democratic Institute) në Kosovë. /2LONLINE/