Larja e duarve është mënyra e vetme, më e thjeshtë, më e mirë, më e dobishme, më efektive dhe më ekonomike për parandalimin e përhapjes së baktereve dhe viruseve që mund të shkaktojnë sëmundje të ndryshme.
Mikrobet janë kudo, ato mund të përhapen lehtë nga një vend në një tjetër nëpërmjet ujit, objekteve, gjallesave dhe grimcave të pluhurit. Gjatë ditës, duart tona janë në kontakt me shumë objekte, të tilla si aparatet telefonike, kartëmonedhat, mjetet e transportit, dorezat e dyerve etj., mbi të cilat janë të fshehura miliona mikroorganizma, disa prej të cilave kanë aftësi patogjene.
Gjithashtu, këto mikrobe mund të hyjnë në trup kur duart i çojmë në hundë, gojë, sy, edhe pse janë të padallueshme me sy të lirë për njeriun. Për më tepër, disa baktere kanë shfaqur një rezistencë të fortë ndaj antibiotikëve, prandaj është i rëndësishëm parandalimi i infeksionit duke i larë duart tuaja tërësisht, veçanërisht për personat me një sistem të dobësuar imunitar (një ftohje banale mund të komplikohet në një bronkit kronik).
Prania e baktereve dhe viruseve që ndodhen në duart tona mund të shkaktojë grip, sëmundje pulmonare, hepatitin e formës A dhe shumë forma të diarreve.
Larja e duarve me sapun mund të parandalojë rreth 50% të vdekjeve nga diarreja dhe rreth 25 % të vdekjeve nga infeksionet respiratore akute.
Fakte
-Më shumë se 5.000 fëmijë vdesin në ditë, ose 1.7 milionë fëmijë vdesin çdo vit nga çrregullimet diarreike nën moshën 5 vjeç.
– Diarreja është shkaku i dytë i vdekjes së fëmijëve nën 1 vjeç.
-Larja e duarve, sidomos në momentet më kritike, si përpara ngrënies apo përgatitjes së ushqimit dhe mbas përdorimit të banjës, mund të reduktojë deri në 50% diarretë te fëmijët nën 5 vjeç.
-Larja e duarve me sapun mund të reduktojë incidencën apo rastet e reja me infeksion akut respirator në rreth 23%.
-Pneumonia, si pjesë e infeksioneve akute respiratore, është shkaku numër një i vdekjeve te fëmijët nën 5 vjeç, dhe çdo vit prej saj preken 1.8 milionë fëmijë.
-Diarreja dhe pneumonia së bashku llogarisin çdo vit të paktën 3.5 milionë vdekje të fëmijëve.
-Larja e duarve, nga vëzhgimet që janë bërë në mbarë botën, është në shifra të ulëta (34%), sidomos në momentet më kritike. Këto sëmundje janë përgjegjëse për rreth 3.5 milionë të vdekjeve foshnjore çdo vit.
-Çdo ditë, më shumë se 5 mijë fëmijë nën 5 vjeç vdesin për shkak të nivelit të ulët të higjienës në vendet ku banojnë.
Kur duhen larë duart?
-Mbas kryerjes së çdo pune apo aktiviteti.
-Para dhe pas ngrënies.
-Mbas përdorimit të banjës.
-Kur kolliteni, teshtini ose shfryni hundën.
-Kur duhet të kujdeseni për një person të sëmurë.
-Kur hidhni plehrat, mbas prekjes së flokëve apo lëkurës suaj.
-Mbas prekjes së kafshëve, kur përdorni transport publik etj.
Kujdes!
Vetëm uji nuk mjafton. Për një larje efikase është shumë i rëndësishëm përdorimi i sapunit dhe i solucioneve të tjera të rekomanduara për larjen e duarve.