(2L ONLINE) – Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike në Gjilan, Sokol Haziri, me bashkëpunëtorë, kanë inspektuar punimet në rregullimin e rrugës në drejtim të shkollës në lagjen e VIII, në të cilën rrugë, rregullohet infrastruktura nëntokësore dhe kjo së shpejti do të bëhet një rrugë moderne me të gjitha standardet që parashihen edhe sipas projektit.
Me këtë rast drejtori Haziri ka thënë se gjithçka është duke u bërë nën mbikëqyrjen e Komunës së Gjilanit dhe kjo rrugë si dhe investimi i infrastrukturës nëntokësore do të bëhen me standarde.
“Jemi këtu në lagjen e VIII, më saktësisht në rrugën e shkollës në këtë pjesë, e cila ishte e degraduar dhe rënduese për qarkullimin e qytetarëve të kësaj pjese. Kemi nisur punën për rregullimin e kësaj rruge me një prioritet të lartë, ngase këtu frekuentojnë edhe nxënësit e shumtë dhe pengesë kryesore për banorët por edhe për shkollën, ka paraqitur kjo rrugë e degraduar skajshmërisht. Do të vazhdojmë me investime. Ne në prioritetet kryesore të drejtorisë e kemi investimet në rrugë, kanalizime, ujësjellës dhe trotuare e ndriçim publik. Përkundër që jemi shumë të limituar në aspektin e financave si drejtori por edhe si Komunë, kemi arritur që të bëjmë punë me një intensitet dhe dinamikë të madhe. Ky projekt kap vlerën mbi 150 mijë euro duke përfshirë edhe rrugët Lot Vaku 1, 2 3 dhe Ramadan Zeka 11, 12 dhe 13”, ka thënë drejtori Haziri.
Ndryshe, investimet nga Komuna e Gjilanit janë duke vazhduar edhe në pjesë të tjera në qytet dhe në disa fshatra, duke përfshirë kryesisht infrastrukturën bazike.
“Shërbimi ndaj qytetarëve është detyrë e jona dhe për këtë jemi duke punuar me një përkushtim të vazhdueshëm, në mënyrë që punët e kryera të lehtësojnë jetën e qytetarëve dhe funksionimin më të mirë kudo që ata jetojnë”, tha ndër të tjerash drejtori Haziri. /2L ONLINE.