Ibrahim Dresheviq do ta ketë mundësinë ta përfaqësojë Kosovën në skenën ndërkombëtare për herë të parë në qershor. Ai ka bërë të ditur e zgjodhi Kosovës sepse nuk donte të priste edhe disa vjet për të marrë ftesë nga Suedia.
Para se të ftohej këtë herë nga Kosova, Dresheviq e kishte përfaqësuar Suedinë, mirëpo asnjëherë nuk kishte luajtur për ekipin e parë. Dresheviq i regjistroi nëntë paraqitje për grupmoshat e Kombëtares së Suedisë.
“Është një ndjenjë e mrekullueshëm, me të vërtetë. Nuk doja të prisja edhe tri apo katër vjet për t’u bërë pjesë e skuadrës së Suedisë.Ti nuk mund ta dish kurrë çfarë do të ndodhë, mund të lëndohesh ose diçka e tillë”, ka thënë Dresheviq, kur u pyet se si ndihet që i është bashkuar skuadrës së Kosovës.
Në ekipin kombëtar, Dresheviq do të luajë bashkë me Arbër Zenelin, me të cilin kishte pasur shoqëri veçanërisht gjatë kohës sa të dy futbollistët luanin për Elfsborgun.
“Kam folur me të pak për skuadrën dhe ai më ka thënë se gjithçka duket e ndritur dhe se ata kanë shumë lojtarë të rinj. Kam menduar shumë për të ardhmen time dhe kjo është më e mira”.
Dresheviq është një mbrojtës 22-vjeçar, i cili kishte pasur mundësi ta përfaqësojë edhe Suedinë dhe Malin e Zi. Ai luan për klubin holandez Heerenveen, ku u transferua gjatë afatit kalimtar të janarit të këtij viti nga Elsborg.