Kosova mbeti pa njërin prej karateistëve më të mirë të saj, Orges Arifi ka njoftuar se nuk do ta përfaqësojë më Kosovën.
Karateisti kosovar e ka bërë një postim në rrjetet sociale duke e zbuluar vendimin e tij të papritur.
Në fakt, Orges Arifi ka njoftuar përmes rrjeteve sociale për vendimin që të mos garojë më për vendin e tij, duke mos i zbuluar arsyet e këtij vendimi befasues.
Ai ka treguar po ashtu se shumë shpejt do ta bëjë të ditur emrin e shtetit për të cilin do të garojë në të ardhmen.
Më poshtë mund ta lexoni postimin e Arifit, i cili tash e sa vite i solli suksese të shumta karatesë kosovare:
“Nuk jam garues i Federatës së Karatesë të Kosovës. Ditëve në vijim do ta bëj të ditur se për cilin shtet do të garoj. Pas 4 viteve të mrekullueshme më shumë suksese të arritura dhe shumë sfida, përfundon epoka ime si garues i Kosovës. Arsyet janë të shumta, për një vendim të tillë, të vështirë për mua, por do ta informoj ditëve në vazhdim opinionin për këtë vendim timin.
Ndihem krenar që si garues i deritanishëm i Kosovës që i kam mbrojtur ngjyrat e flamurit më shumë nder ku kam arritur të fitoj shumë medalje dhe tituj. Fitova medaljen e parë evropiane ne historinë e karatesë kosovare.
Gjithashtu isha fitues i Kupës Botërore për U21 dhe fitues i 3 medaljeve ballkanike për senior dhe kontribues i dy medaljeve evropiane në ekipore për regjione. Me rezultatet e arritura në vitin 2016 isha i pari në renditjen botërore në ËKF për U 21, dhe tash e sa kohë jam në top 50 në renditjen botërore të seniorëve.
I falënderoj të gjithë ata që ishin afër meje në suksese dhe dështime, gëzime dhe hidhërime.
Falënderim për Klubin e Karatesë Ippon Prishtine dhe trajneren Shqipe Zogiani. Falënderoj gjithashtu të gjithë shokët e reprezentacionit me të cilët kemi kaluar shumë kohë të mrekullueshme së bashku (Herolind Nishevcin, Alvin Karaqi, Elhami Shabani, Blodin Pakashtica, Durim Haziri, Ylli Cenaj, Astrit Halimi dhe Tahir Ajvazi) e shumë të tjerë, mirëpo me këta kemi qene pothuajse gjithmonë së bashku në këto vitet e fundit.
Shfrytëzoj rastin ta falënderoj bordin e Komitetit Olimpik të Kosovës për përkrahje të pa rezervë por edhe që gjithmonë me dolën në mbrojtje duke çmuar kontributin tim dhe të arriturat e mija në karate. Falënderoj për mirëkuptim z. Ismet Krasniqi”, ka shkruar Arifi.