Marrëveshja në parim e arritur mes dy liderëve të partive më të mëdha në vend, Hashim Thaçit të PDK-së dhe Isa Mustafës së LDK-së, pritet t’ua shkurtojë mandatin deputetëve së paku tetë muaj para kohe.
Derisa mandati i tyre i rregullt është deri në dhjetor të këtij viti, ata tashmë mund t’i numërojnë së prapthi ditët e mbetura në Kuvend. Burime të gazetës brenda PDK-së, kanë paralajmëruar se Kuvendi pritet të shpërbëhet brenda tre muajve.
“Orientimisht, Kuvendi mund të shpërbëhet para fillimit të majit, në mënyrë që zgjedhjet e parakohshme të mbahen kah mesi i qershorit”, ka thënë zyrtari i PDK-së. Me Kushtetutë është e përcaktuar që Kuvendi mund të shpërbëhet me vullnetin e 2/3 të deputetëve, shkruan “Tribuna”.