Nën tingujt e himnit të flamurit shtetëror të Republikës së Kosovës, sot është mbajtur seanca solemne kushtuar 6 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Krerët e institucioneve të Kosovës kryeparlamentari, Jakup Krasniqi dhe kryeministri Hashim Thaçi kujtuan sakrificën e brezave të tërë për liri dhe pavarësi.
Për nder të përvjetorit të gjashtë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Kuvendi i Kosovës mbajti seancë solemne ku u kujtua i gjithë angazhimi për liri dhe pavarësi të Kosovës. Kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi në fjalën e tij përmendi luftën e lavdishme të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës dhe përuljen që bën populli i Kosovës para atyre që dhanë jetën për liri.
“Shpallja e pavarësisë ishte një akt historik por të cilit i ka paraprirë një proces i gjatë çlirimtar, i mbuluar me lavdi me gjak e sakrifica të panumërta, i ka paraprirë një luftë titanike që simbolizohet me emrin emblemë të komandantit legjendar të UCK-së Adem Jashari”, tha ai, transmeton RTK.
Ai ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që Kosovën e ndihmuan që ta festojë këtë ditë. Krasniqi tha se Kosova për gjashtë vjet shtet nuk ka rrezikuar dhe dëmtuar askënd sepse si realitet dhe projekt është themeluar mbi vlerat e larta të demokracisë.
“Republika jonë e re, ka moshën e një fëmije që sapo fillon shkollën dhe mësimin. Para saj shpërfaqet në horizontin e kaltër e ardhmja plot sfida por e sigurt. Ne kemi nevojë të mësojmë nga shembujt e mirë, por edhe të këqij të të tjerëve, kemi nevojë të mësojmë të kaluarën për të mos na u përsëritur historia as si farsë as si tragjedi”, tha kryeparlamentari Krasniqi.
Edhe kreu i Qeverisë së Kosovës ,Hashim Thaçi duke i uruar të gjithë qytetarët e Kosovës për pavarësinë e vendit, kujtoi luftën dhe rënien e të gjithë atyre që dhanë jetën për liri.
“Në këtë ditë të shenjtë, unë bashkë me ju dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës shprehim nderimet dhe mirënjohjen më të lartë, përkulemi para veprës së dëshmorëve që mundësuan këtë ditë të lirisë dhe pavarësisë që gëzojmë sot. Kjo është padyshim një ditë gëzimi dhe lumturie për ne, por gjatë festimit të pavarësisë ne ndjejmë dhimbje gjithashtu në zemrat tona, për motrat dhe vëllezërit e rënë apo të zhdukur që kanë punuar për këtë realitet që sot po e jetojmë, por fatkeqësisht ata nuk janë në mesin tonë”, tha ai.
Në fjalën e tij ndër të tjera kryeministri i Kosovës përmendi edhe angazhimin e institucioneve të Kosovës për ndërtimin e shtetit të Kosovës.
“15 vite liri e 6 vjet pavarësi nuk janë shumë, për historinë e një populli, por gjithsesi ne kemi bërë shumë, kemi bërë shumë sepse ne kemi punuar bashkarisht. Në një kohë rekorde nga zero ne kemi ndërtuar institucionet e Kosovës. Me një proces të ndjeshëm të dialogut arritëm marrëveshjen e parë historike, ku arritëm respektimin e plotë të sovranitetit tonë”, tha kryeministri Taçi.
Në këtë seancë u rikonfirmua edhe njëherë vizioni i Kosovës për një shtet demokratik dhe i integruar në mekanizmat ndërkombëtarë dhe i barabartë dhe vendet tjera të botës.