Pasi që Kuvendi i Gjilanit, nën drejtimin e kryesueses Shpresa Kurteshi-Emini, ka miratuar të enjten ndryshimet dhe plotësimet në statutin e Komunës, (shih: Miratohet Statuti i ri), në vazhdën e seancës ka shqyrtuar edhe pikat tjera dhe me 20 vota për dhe 9 kundër Kuvendi ka miratuar edhe raportin financiar për vitin 2017, të cilin e ka prezantuar drejtori i Buxhetit, Abdyl Jerliu.
Në diskutim, me lëvdata, kritika, vërejtje e analiza, në emër të grupeve të këshilltarëve, janë përfshirë Avdyl Aliu (LDK), Nevzad Isufi (Vetëvendosje), Shefik Surdulli (PDK), Ibish Ibishi (AAK) Enver Hajrullahu (Nisma), sikurse edhe anëtarët tjerë të Kuvendit, Hevzi Xhelili (PDK), Arbëreshë Kryeziu – Hyseni (LVV), Arijeta Rexhepi (LVV), Shemsedin Elezi (LDK), Burim Berisha (LDK), Nazim Gagica (AAK), Riza Abdyli dhe të tjerë.
Po ashtu, Kuvendi miratoi edhe vendimin për bartjen e mjeteve të pa shpenzuara nga viti 2017 në vitin 2018, në shumë prej 1 milion e 780 mijë euro, pastaj planin e punës së Kuvendit për vitin 2018, rishikimin e vendimit për caktimin e anëtarëve në Komitete, sipas kërkesës së MAPL, vendimin për themelimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, rregulloren për subvencione, rregulloren për taksa, ngarkesa dhe gjoba komunale, vendimin për zgjedhjen e anëtarëve në Kuvendin e Asociacionit të Komunave të Kosovës si dhe kërkesën për mbështetjen e Teatrit të qytetit, ndërkaq rregulloren për varreza, me propozimin e shefit të grupit të këshilltarëve të LDK-së, Avdyl Aliu si dhe përkrahjen e grupimeve tjera politike, e ka shtyrë për seancën tjetër.
Te rregullorja për taksa ka ndryshime te sektori i shërbimeve publike, pastaj është bërë një ri-rregullim i tarifave për shfrytëzimin e hapësirave sportive, i tarifave për shfrytëzimin e hapësirave të bibliotekës dhe të tjera. Në përgjithësi tarifat për shërbime publike, janë ulur deri në 30 për qind.
Edhe te rregullorja për subvencione, janë propozuar disa ndryshime. Përfitues i subvencioneve mund të jetë vetëm personi fizik ose juridik, i cili i ka të përfunduara obligimet ndaj Komunës.
Rregullores i është shtuar një paragraf te neni 19, ku thuhet se subvencionimi për dëme të shkaktuara në bujqësi nga fatkeqësitë natyrore, zjarret , dëmet tjera, bazohet në raportin e vlerësimit të dëmeve nga organi kompetent.
Po ashtu është shtuar një paragraf te neni 22, që parasheh subvencionimin e projekteve të bashkësive fetare për veprimtari me interes publik. Sipas kësaj rregulloreje, kryetari i Komunës lejon ndarjen e subvencioneve për persona juridikë deri në shumën 4.000 euro, ndërsa për persona fizikë deri në 1.500 euro, me dedikim për nevoja shëndetësore dhe mirëqenie sociale. Nëse ndihmat financiare kanë të bëjnë me shuma më të mëdha, atëherë vendos Kuvendi i Komunës.
Ndërkaq, sa i përket kërkesës për mbështetjen e Teatrit të qytetit, si nevojë e funksionimit të gjithmbarshëm të aktiviteteve socio-kulturore dhe krijimtarisë skenike, duke përfshirë të gjitha manifestimet, programet dhe aktivitetet tjera që zhvillohen në këtë objekt, Kuvendi vendosi ndarjen e një shume të mjeteve prej 22.416 euro.
Në fillim të seancës sipas praktikës së rregullt kuvendare, këshilltarët komunalë kanë parashtruar pyetje të ndryshme për drejtorët komunalë dhe për shumicën e tyre kanë marrë përgjigje aty për aty, ndërkohë që për disa pyetje të tjera, këshilltarët komunalë do të marrin përgjigje përmes postës elektronike, siç ka thënë kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini, brenda javës.