Miratohet Statuti i ri

Miratohet Statuti i ri

Anëtarët e Kuvendit Komunal të Gjilanit, në seancën e të enjtes, kanë votuar Statutin e ri të komunës së Gjilanit për të cilën votuan 29 anëtarë, kundër ishin 6, abstenime nuk pati, kështu që tani e tutje ekzekutivi do t’i ketë 12 drejtori nga 10 sa kishte më parë, duke u kthyer Drejtoria për Kulturë Rini e Sport dhe Drejtoria e Inspekcionit. Për drejtori të tjera të propozuara nga Komisioni u tha se nuk ka dakordim, jo që nuk është nevoja, por për shkak të mosplanifikimit buxhetor, transmeton 2LONLINE.

Po ashtu, në këtë seancë, të katërtën me radhë, të kësaj përbërje, është rrit edhe numri i komiteteve edhe me komitetin konsultativ për persona me aftësi të kufizuar,

Shqyrtimit të kësaj pike i parapriu debati nga anëtarët e Kuvendit.

Arben Mehmeti, kryesues i Komisionit për ndryshimin dhe plotësimin e statutit të Komunës së Gjilanit ka paraqitur para anëtarëve punën që ka bërë ky komision për të prurë para Kuvendit draft dokumentin e Statutit.

Anëtari i Kuvendit, Avdyl Aliu (LDK), ka thënë se si LDK, Drejtoria për Kulturë Rini e Sport dhe Drejtoria e Inspekcionit duhet të shtohen (kthehen), ndërsa sa i përket dy drejtorive tjera të reja që dalin si derivate nga drejtoritë aktuale ai tha se vlerësojnë se nuk do të ishte praktike, por nëse pjesa tjetër vendos pro, edhe ata do të jenë.

Nevzad Isufi (Vetëvendosje), tha se në parim janë për tu kthyer Drejtoria për Kulturë Rini e Sport dhe Drejtoria e Inspekcionit, por duke kërkuar përgjegjësi për të kaluarën. Andaj ai ka kërkuar krijimin e një Komisioni për të vlerësuar punën e njësive përkatëse, gjatë viteve të kaluara, në veçanti për ndërtimet pa leje, pra të vlerësohet puna e njësive, në veçanti ajo e Inspekcionit.

“Rikthimi i këtyre drejtorive pa marr përgjegjësi askush, është praktikë e keqe”, ka thënë Isufi.

Riza Abdyli (PDK), tha se Drejtoria për Kulturë Rini e Sport dhe Drejtoria e Inspekcionit të rikthehen por jo vetëm, duhet të rikthehen fuqishëm, sidomos për Drejtorinë e Inspekcionit. Ndërsa, për dy drejtori tjera të reja, jemi kundër. Edhe ai tha se rikthimi i drejtorive, pa dhënë llogari askush nuk është e qëlluar. Ai ka folur për kaosin urbanistik e degradimin e ambientit, duke ofruar shembuj edhe përmes fotove të deponive të egra të mbeturinave, prandaj ai tha se duhet dhënë dikush përgjegjësi.

Anila Tusha ka paraqitur qëndrimin e NISMA-s duke folur për qëndrimet që i ka pasur përfaqësuesi i Nisma-s në komision dhe se ka thënë se është për krijimin e drejtorive të reja, ndonëse shprehu dyshimin për funksionalitetin e Drejtorisë së propozuar për Mbrojtje të Mjedisit, për mungesë të mjaftueshëm të ambientalistëve.

Ibish Ibishi (AAK), tha se është edhe për krijimin e Drejtorisë për Shëndetësi Primare të jetë pra në vete nga ajo për Çështje Sociale dhe Banim Social, për shkak natyrës së punës, ndërsa ishte pro rikthimit të dy drejtorive që funksionuan si njësi, Drejtoria për Kulturë Rini e Sport dhe Drejtoria e Inspekcionit.

Nehat Osmani (Vetëvendosje), ka rikujtuar se shuarja e drejtorive për Kulturë Rini e Sport dhe Drejtoria e Inspekcionit ishte i padrejtë dhe hap i gabuar nga kryetari i komunës. Edhe ai ka kërkuar përgjegjësi për këto veprime para se të korrigjohen tani. Iniciativa për t’i rikthyer këto drejtori, sipas i tij, tani është e pasinqertë nga ata që nuk është dashtë të bëjnë një gjë të tillë. Osmani ka bërë të ditur se Vetëvendosje nuk do ta votojë këtë iniciativë për ndryshime statutare dhe ka ftuar edhe subjektet tjera opozitare ta bëjnë këtë. Ai ka kërkuar të japin përgjegjësi të gjithë ata që gabuan, me qëllim, e që tani edhe krenohen me ato gabime, dhe tani duan ti korrigjojnë ato, pa treguar asnjëherë për veprimet e tyre dhe pa dhënë përgjegjësi për ato.

Arbëresha Kryeziu – Hyseni, (Vetëvendosje) ka kujtuar kur drejtoritë ishin shkrirë në njësi, veprime këto, që sipas saj, u panë se ishin të gabueshme. As tani rikthimi i tyre, Hyseni tha se nuk po bëhet, për ngritje të cilësive të shërbimeve dhe ka kujtuar që përkundër që është pranuar edhe nga kryetari i komunës që nuk ka funksionuar riorganizimi i tillë, ka munguar raportimi për ato gabime dhe nuk ka pas as llogaridhënie për ato dështime, andaj ajo tha se përkundër që e di për nevojën e këtyre drejtorive, është kundër iniciativës së tanishme për ndryshime statutare, pa llogaridhënie.

Arjeta Rexhepi po nga Vetëvendosje ka kujtuar kundërshtitë e tyre që të shuhen drejtoritë andaj edhe tani pa dhënë llogari për këto dështime, rikthimi i këtyre drejtorive nuk është i drejtë. Edhe ajo ka kërkuar komision komunal i cili do punojë për të gjeturat në punën e këtyre njësive, e pastaj të veprohet tutje.

Arta Haziri – Nuhiu (AAK), ka thënë se AAK është pro ndryshimeve, ka vlerësuar punën në Komision, e edhe Shemsedin Ramushi (AKR), ka rikujtuar se në komision të gjithë ishin dekoduar për rikthimin e drejtorive të lartpërmendura, sikurse që tha se në AKR, janë edhe për drejtori të reja të përmendura.

Edhe Milivoje Stojanoviq nga Lista Serbe tha se përkrah propozimin e Komisionit për ndryshimet në Statut.

Kryesuesja e Kuvendit Komunal Shpresa Kurteshi –Emin, ka kërkuar pauzë të shkurtë për konsultë me shefat e grupeve të këshilltarëve. Pas kthimit në seancë, kryesuesja bëri me dije se janë dakorduar për themelimin e komisionit të kërkuar nga Vetëvendosje për vlerësimin e punës së njësive, nga koha e shuarjes së drejtorive dhe shndërrimi në njësi deri në ditën e rikthimin në Drejtori për Kulturë Rini e Sport dhe Drejtori të Inspekcionit.

Dhe, derisa subjektet politike i jepnin emrat për këtë komision që u tha se do t’i ketë nëntë anëtarë, tetë nga Kuvendi dhe një nga shoqëria civile, Nevzad Isufi nga Vetëvendosje tha se dëshiron të sqarojë se u dakorduan për këtë, por me kërkesën që më parë të bëhet vlerësimi e pastaj të vije miratimi. Por, kryesuesja e Kuvendit tha se kjo është e pamundshme pasi komisionit për vlerësimin e punës në fushën e ndërtimit dhe ambientit për periudhën katërvjeçare, kur drejtoritë përkatësie (inspekcioni) ishin njësi. do t’i nevojitet kohë.

Kështu pasi u vu në votim, Statuti i Komunës kaloi me 29 vota pro dhe 6 kundër. Kundër ishin gjashtë anëtarë të Vetëvendosjes nga shtatë sa janë pjesë e Kuvendit, pasi një prej tyre votoi pro, transmeton 2LONLINE.

Kuvendi pret të rikthehet në shqyrtimet e pikave tjera pasi një pauzë të dhënë.

KOMENTE