Kuvendi Komunal i Kamenicës ka mbajtur mbledhjen solemne për nder të shënimit të 16 vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Mbledhjen e hapi Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Liridon Kastrati, ndërsa të pranishëm ishin: Kryetari Kadri Rahimaj, Nënkryetari Faton Jakupi, drejtorët e drejtorive komunale, asambleistët, e përfaqësues nga Poicia e Kosovës.
Kryesuesi i Kuvendit, Liridon Kastrati, ka uruar të gjithë për shënimin e 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, duke thënë se Kosova tash e 16 vite është ndërtuar me punë e përkushtim të madh, e pa harruar asnjëherë dëshmorët që dhanë jetën për lirinë e vendit.
Në fjalën e tij Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, uroi të gjithë për këtë ditë, duke thënë se data 17, 16 vite më parë ka qenë moment kthese e shprese për vendin tonë. Ky moment nga ajo se çfarë na është thënë e çfarë kemi përjetuar është i vonuar dhe me plot sfida e pengesa për një kohë të gjatë.
“Sot, më shumë se kurrë duhet të qëndrojmë me njëri-tjetrin e për njëri-tjetrin. Sfidat që po na prekin ne, duhet të jenë shtysë për punën e të mirën e përbashkët”-ka shtuar Kryetari Rahimaj. /2LONLINE/