Kuvendi Komunal i Gjilanit, nën udhëheqjen e Kushtrim Kadriut, kryesues, ka mbajtur seancë solemne, për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Gjilanit, në të cilën morën pjesë përfaqësues të Komunës, përfaqësues nga institucionet e sigurisë, deputetë përfaqësues nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.
Kryesuesi Kadriu tha se pikërisht në këtë sallë, gjatë paraluftës u gjykuan qindra bashkatdhetarë vetëm pese donin të jetonin të lirë.
Ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, ka thënë se breza të tërë, janë flijuar, kanë luftuar e kanë bërë beteja të lavdishme kundër terrorit, gjenocidit e masakrave të tmerrshme që i bëri pushtuesi.
“25 vite më parë UÇK arriti që Kosovën ta bëjë vend të lirë, bashkë me aleatët e fuqishëm, SHBA-të, vendet e perëndimit e botën e civilizuar dhe me intervenimin e NATO-s bënë që edhe Gjilani e Kosova të jetë e lirë, të shpallë më vonë pavarësinë e të bëhet shtet funksional i cili shkon drejt integrimeve të reja sikur bota e civilizuar”, ka thënë Isufi.
Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, theksoi se kjo ditë na kujton sakrificat, guximin dhe unitetin e popullit tonë.
“Në këtë ditë solemne ne nderojmë të gjithë ata që luftuan dhe dhanë jetën e tyre për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Kujtojmë me respekt dhe mirënjohje dëshmorët, heronjtë e aleatët tanë ndërkombëtarë, të cilët na dhanë mundësinë të jetojmë të lirë dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë”, ka nënvizuar Morina-Bunjaku.
Shefi i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Avdyl Aliu, ka thënë se çerek shekulli më parë populli i Kosovës jetoi në kushtet më të rënda të përndjekjes, diskriminimit dhe masakrave.
“Por, as në momentet tona më të vështira ne nuk e humbën shpirtin tonë luftarak dhe dëshirën tonë ta pashuar për liri, demokraci e pavarësi”, tha ai, teksa ka vlerësuar lartw rolin e ish-presidentit Rugova dhe rolin e UÇK-së.
Bujar Nevzadi, shef i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së në Kuvend, tha se Kosova gjatë këtyre 25 viteve ka ndyshuar shumë, me sheshe, rrugë e autostrada.
“Kosova tashmë është e pavaruar, me ushtrinë e policinë e saj. Kosova jonë po rritet, po bëhet më e mirë, më e zhvilluar, në të gjitha drejtimet. 25 vjet më pas, kur dolëm të shkatërruar nga lufta, Kosova nuk krahasohet dot, ndonëse ende ka mohues të rritës dhe zhillimit”, është shprehur ai.
Shefi i Grupit të Këshilltarëve të AAK-së, Nazim Gagica, tha se në qershorin e vitit 1999, po zbriste triumfuese Ushtria Çlirimtare e Kosovës e bashkë me të, por zbriste liria e saj.
“Po ktheheshim plot shpresë, besim, entuziazëm, për lirinë e munguar me shekuj. Po ktheheshim me kujtimet e respektin për heronjtë, me dhembjen për të flijuarit, te masakruarit e të zhdukurit. Sot, pas 25 vjetësh, Kosovën e shohim të tërësisht të tjetërsuar”, tha Gagica.
Në këtë seancë solemne ka folur edhe ish-kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa. /2LONLINE/