Kuvendi Komunal i Gjilanit, në një seancë të jashtëzakonshme, nën udhëheqjen e Arianit Sadikut, kryesues, ka miratuar sot në mënyrë unanime Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) 2024-2026, të cilën e ka prezantuar para këshilltarëve, Ilmi Limoni, ushtrues detyre i drejtorit financiar.
KAB miratohet në parim për çdo vit nga Kuvendi Komunal, si material që siguron një analizë të hollësishme për të hyrat dhe shpenzimet publike dhe përcakton parametrat dhe prioritetet kryesore për zhvillimin e vazhdueshëm buxhetor.
KAB është dokument bazik për përcaktimin e sektorëve prioritarë të zhvillimit dhe identifikimin e prioriteteve të shpërndarjes së resurseve komunale për periudhën 2024-2026.
KAB-i parasheh një rritje solide buxhetore, nga viti në vit. Kësisoj, buxheti i vitit 2024 parashihet të jetë 37 milionë e 571 mijë euro, i vitit 2025 – 39 milionë e 438 mijë euro, ndërkaq i vitit 2026 – 41 milionë e 315 mijë euro.
Të hyrat vetanake të Komunës do të shënojnë 5 milionë, në vitin 2024, në afër 5.5 milionë në vitin 2026.
Opozita (LDK, PDK, AAK) i dha përkrahje në parim KAB-it, me kërkesë që të merren parasysh edhe propozimet e tyre, gjë që mori premtime nga kryetari i Komunës, i cili tha se çështjet e ngritura sot do të shqyrtohen në shtator.
Për më tepër, kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ka dhënë sqarime edhe në çështjet e ngritura nga këshilltarët komunalë rreth investimeve të planifikuara në arsim, shëndetësi, bujqësi, te shpronësimet, zhvillimi ekonomik, taksat komunale dhe të tjera.
Seanca, ndonëse e jashtëzakonshme, nuk ka mundur t`i shmanget as kësaj here debatit politik. /2LONLINE/