Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën udhëheqjen e Kushtrim Kadriut, kryesues, nuk e ka futur në rend dite buxhetin për vitin 2025, bartjen e mjeteve në vlerë prej 2.5 milionë euro e themelimin e inkubatorit të bisnezit, kërkesa këto që i bëri kryetari i Komunës Alban Hyseni, derisa opozita (LDK, PDK, Vatra), e cila e përbën shumicën në Kuvend, votoi kundër.
Pas kësaj, asambleistët e VV-së, me një përjashtim, kanë lëshuar sallën e mbledhjeve.
Në këtë seancë, kuvendarët kanë miratuar propozim-vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e themelimit të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, raportin e komisionit për dhënien e titujve të nderit, çmimeve, mirënjohjeve dhe shpërblimeve, themelimin e grupit punues për hartimin e planit të punës së Kuvendit për vitin 2025, plotësimin dhe ndryshimin e Komisionit për ndarjen e bursave, plotësim-ndryshimin e Komisionit për ndarjen e titujve të nderit, çmimeve, mirënjohjeve dhe shpërblimeve, sikurse edhe kërkesën e sindikatës së shërbyesve civilë të Gjilanit, për pagesën në shumën prej pesë euro për shujtë ditore.
Ndërkaq, Kuvendi ka shtyrë për një seancë tjetër Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Gjilanit për vitin 2023, raportin e komisionit për emërtimin e rrugëve, diskutimin rreth vendimit për Strategjinë e Zhvillim Ekonomik Lokal 2024-2031, faljen e borxheve për bizneset për periudhën 2000-2019 dhe plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores për ndarjen e subvencioneve në shëndetësi.
Në fund, shefi i grupit të PDK-së, Bujar Nevzati, ka ngritur shqetësimet lidhur me rezultatet e konkurseve të fundit, duke pretenduar se paraprakisht kandidatëve u është dhënë testi me shkrim, sikurse, sipas tij, edhe për dërgim të mjekëve e infermierëve në QKMF pa asnjë kriter, shqetësime këto të cilat i ka mbështetur edhe Muhadin Haziri (LDK).
Në këtë seancë, kanë dhënë kontributet e tyre edhe Sami Ahmeti, Ismajl Kurteshi, Nazim Gagica, Ramiz Ramadani Ardita Ukshini e Shpresa Kurteshi Emini.
Paraprakisht, në këtë seancë e ka dhënë betimin asambleisti Ganimet Sabedini, i cili ka kaluar në grupin e këshilltarëve të LDK-së. /2LONLINE/