Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën udhëheqjen e Kushtrim Kadriut, kryesues, ka diskutuar për raportin financiar janar-shtator 2024, derisa ka miraruar vlerësimin rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, ndryshimin dhe plotësimin e vendimit nr. 016-20437 të datës 23.02.2023 për formimin e Komisionit për shqyrtimin e kërkesave dhe ankesave në procesin e emërtimit të rrugëve dhe numërimit të adresave, sikurse edhe kërkesën e Drejtorisë për Arsim për ndarjen e bursave për studentë në vlerë prej 150 mijë euro.
Sa i përket ndarjes së bursave, kuvendarët kërkuan që konkursi të shpallet në bazë të kritereve të caktuara nga seanca e kaluar.
Paraprakisht, është zhvilluar një debat polarizues pozitë-opozitë, pas kërkesave nga ana e kryetarit të Komunës, Alban Hyseni, për futjen në rend dite të Buxhetit për vitin 2025, themelimin e Inkubatorit të Biznesit dhe bartjen e mjeteve në vlerë prëj 2.5 milionë euro.
Ndërkohë, pas një takimi që kryetari i Komunës zhvilloi me shefat te grupeve të këshilltarëve VV-PDK-AAK dhe Vatra, asamblesisti Ismajl Kurteshi tha se në përpjekje për ta zgjidhur këtë ngërç, nesër (e premte), është caktuar një takim tjetër në orën 13:00, ku në rast të dakordimit, do të thirret një seancë të jashtëzakonshme për procedim të buxhetit për vitin 2025.
Sa i përket raportit financuar janar-shtator, shefi i grupit të PDK-së, Bujar Nevzati, pati vërejtje për rënie të të hyrave vetanake e moshpenzim të buxhetit për investime kapitale në drejtoritë përkatëse, derisa shefi i GK të LDK-së, Avdyl Aliu, tha se janë nëntë milionë euro të parapara për investime kapitale, ndërkaq, sipas tij, janë realizuar katër milionë euro, duke kritikuar ekzekutivin për paaftësi e pasivitet.
Drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Herolinda Murati – Leka, ka kundërshtuar pretentimet e opozitës sa i përket shpenzimeve kapitale, duke thënë se kanë pasur një lëvizje pozitive drastike sa i përket kësaj kategorie.
Ndërkaq, propozim-statuti i Ansamblit të këngëve dhe valleve popullore, raporti i komisionit për emrin e rrugëve, raporti i Komisionit për zgjedhjen e Këshillave Lokalë, propozimi per mbështetjen e grave të prekura nga kanceri i gjirit dhe raporti i Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Gjilanit për vitin 2023 (Plani i veprimit për zbatimin e Rekomandimeve të Zyres Kombëtare të Auditimit), janë shtyrë për mbledhjen e radhës.
Në këtë seancë kanë marrë pjesë në diskutim dhe kanë adresuar pyetje Bujar Nevzati, Besnik Shala, Krenare Latifi Kqiku, Ismajl Kurteshi, Nazim Gagica, Gentrit Murseli, Avdyl Aliu, Arianit Sadiku, Erestina Isufi, Muhadin Haziri, Arbër Musliu, Imran Haziri, Ramiz Ramadani, Afërdita Balaj e Sami Ahmeti, të ciluave u është përgjigjur kryetari i Komunës, Alban Hyseni dhe drejtorët komunalë, Shpend Nuhiu (DKA), Hekuran Rapuca (DSHMS), Kushtrim Zeqiri (DKRS), Bejtulla Osmani (Mbrotje dhe Shpëtim) dhe Bajram Isufi (Bujqësi e Pylltari). /2LONLINE/