Kushtrim Kadriu njihet për performacat e tija reaguese, në adresë të pushtetit, sa herë që i takon taborit opozitar dhe sot ai ka zgjedhur një të tillë, për të reaguar, siç thotë ai, ndaj mos punës së Kuvendit komunal të Gjilanit, si organ më i lartë në Komunë, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Kadriu, që është anëtar i Kuvendit Komunal nga radhët e Lëvizjes Qytetare “Vatra”, ka pastruar ulësen e tij, dhe hapësirën përeth saj, duke përçuar kështu reagimin që ka, se këtë institucion po e mbytë pluhuri, duke iu referuar asaj se ky organ është i bllokuar dhe se nuk po i zhvillon punimet tash e sa kohë.
“Ka disa muaj që nuk funksionon Kuvendi Komunal. Kryesuesi i Kuvendit herë fton mbledhje, e pas disa orësh i anulon, dhe se ky institucion ka mbetur i bllokuar tani e disa muaj. Po shihet qartë se pluhuri e ka mbuluar këtë institucion duke mos u punuar asgjë. Në këtë rast, unë zgjodha që karrigen time të asambleistit ta pastroj që të mos e mbulojë pluhuri, sepse ne, për faj të këtij pushteti, nuk po kemi më as mundësi me luajt rolin tonë, në dobi të qytetarëve, për çka edhe jemi votua”, ka thënë Kushtrim Kadriu i “Vatrës”, subjekt ky, pjesë e opozitës në Gjilan. /2LONLINE/