Ra pandemia dhe masat e ndërmarra dhe bënë që shumëkush t’i ndalë apo zvogëlojë aktivitetet e tija të rëndomta përgjatë kësaj kohe pothuajse deri në zero . Por, kishte dhe të atillë që pikërisht në këtë periudhë ndezën motorët dhe ishin tejet aktiv. I tillë ishte nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, aktivizmi i të cilit u pa sidomos me vizita personaliteteve të ndryshme duke bërë që dikush nga pushteti, t’i vlerësojë dhe t’i nderojë me vizita personalitete të ndryshme, duke ua bërë me dije se nuk janë të harruar dhe kontributi i tyre në fusha të ndryshme ka vlerë dhe për këtë institucioni ka dijeni.
Po ashtu, nënkryetari Ismajli u bë pjesë edhe e aktiviteteve të shumta qytetare që u ndërmorën veçmas në pastrimin dhe humanizimin e ambienteve nëpër lagje të ndryshme, duke qenë edhe vet aktiv në ato aksione, bashkë me qytetarë.
Nga ana tjetër, deklarimet e ndonjëhershme të kreut të komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri se do ta përfundojë këtë mandat të kryetarit në Gjilan dhe do të “lëshojë” udhë për kandidatë të tjerë, ka bërë që emri i Arbër Ismajlit, si kandidaturë e mundshme, të lakohet e përfolët shumë.
Andaj, pikërisht, kjo ka bërë që aktivitetet e lartpërmendura të Arbër Ismajlit që ai i vlerëson se po bëhen nga pozita e nënkryetarit, detyrë kjo për të cilin thotë se ka marr besim dhe se, nuk po bënë asgjë tjetër përveçse se po e kryen atë, për opozitën janë parë si një fushatë e parakohshme, një përgatitje e terrenit, që kur të vijë koha e kandidimit zyrtar, ta kapitalizojë atë në mbështetje për të, me votë.
Opozita e Gjilanit u mundua ta atakojë këtë aktivitet të tij duke e kritikuar Ismajlin për fushatë edhe pse nuk jemi në kohë zgjedhje, por duket se këto reagime opozitare ishin si “plumba qorr”, pasi ishin pa efekt fare. Kritikuan ca, me një retorikë të zakonshme, pa e shtjelluar mirë reagimin e tyre për të qenë bindës për publikun, dhe u ndalen, por nuk u ndal edhe nënkryetari Ismajli. Ai vazhdoi tutje me aktivitetet e tija duke mohuar se ka të bëjë me fushatë apo me përcaktim të tij për të qenë kandidat për kryetar komune që LDK-ja do ta nxjerr në zgjedhje kur ato do të vijnë.
Por, duket se “ngacmime” me sherr në këtë rrugëtim të Arbrit, qoftë nga pozita e nënkryetarit qoftë edhe me “hilen” e fushatës, ka edhe përbrenda subjekti që i takon LDK-së, që nxjerr në pah atë se moskandidimi eventual i Hazirit, ka rritur apetitet te më shumë përfaqësues të këtij subjekti politik, që duket se tani e atakojnë Ismajlin rreth kandidaturës së mundshme të tij për kryetar komune.
Kjo duket se e detyroi Ismajlin që sot të dali me një reagim kundër dikujt në vet partinë e tij , por pa e precizuar për publikun se për kë konkret e ka fjalën, të cilëve u dërgoi selame, për më tepër ua qartësoi pozicionin e tij dhe qasjen që do të ketë ndaj të tillëve nëse do të vije vërtetë deri te një kandidim të tij të mundshëm për kryetar komune.
“Po e ndjejë të nevojshme të ua bëjë me dije edhe njëherë disa oponentëve të lodhur brenda taborit tim politik të LDK-së, se deri më tani, asnjëherë të vetme, nuk kam biseduar me kryetarin e partisë, LDK-së, dega në Gjilan dhe me asnjë strukturë politike, lidhur me kandidaturën time për zgjedhjet e ardhshme për kryetar të Komunës së Gjilanit”, është shprehur nënkryetari Arbër Ismajli.
Ai tha se po vazhdon ta kryej më përplot përgjegjësi, postin me të cilin është i ngarkuar si nënkryetar komune, duke bartur seriozitet dhe përgjegjësi në punë. Ismajli u ka thënë bashkpartiakëve se Komuna e Gjilanit, e ka kryetarin e saj, tabori i tij politik, LDK-ja i ka organet e zgjedhura, dhe se, kur t’i vije koha, do të diskutohet çdo gjë në tavolinë. “Nuk ka nevojë askush, të merret me intriga, me qëllimin e vetëm ta lakojë emrin tim, duke bërë propaganda të ndryshme personale e familjare. Sinqerisht, kjo që po e dëgjojë është e turpshme për ata persona të cilët e ndjejnë vetën si të lartësuar”.
“Të gjithë ju, të cilët keni aspirata duke u munduar të denigroni njerëz, ju ftojë të më leni të qetë, personalisht mua, dhe, veçanërisht familjen time, duke ndjekur rrugën tuaj politike, ashtu siç keni arritur të “depërtoni”. Ëndrra dhe lakmia juaj politike, nuk mund të arrihet në këtë formë. Punoni ndershmërisht, për të arritur aty ku synoni. Sepse, qytetarët janë ata të cilët më së miri do të jenë në gjendje ta vlerësojnë këtë. Këto lojëra janë për ta larguar vëmendjen e ligësisë suaj, dhe, natyrisht, këtij horizonti, do t’i dal ngjyrimi shumë shpejt”, thotë Ismajli në një adresim që e ka për dikë nga partia e tij.
“Nëse nesër, unë do të jem një ndër të besuarit e kësaj në të cilën po thirreni ju, duke bërë linçime, nga sot, po u paralajmërojë, që ju nuk mund të rrugëtoni me mua bashkë”, përfundon Ismajli, postimin në profilin e tij në facebook. /2LONLINE.com/