Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në nënshkrimin e Marrëveshjeve të Mirëkuptimit për nisjen e aktivitetit të mbështetur nga USAID-i të Partneritetit me sektorin privat për forcimin e arsimit të lartë, ku e pranishme ishte e ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.
Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se ky aktivitet synon të forcojë partneritetet ndërmjet sektorit privat dhe institucioneve akademike të Republikës sonë.
Ne jemi të lumtur që marrëdhënia jonë tashmë e shkëlqyer me shtetin e Iowa-s do të forcohet edhe më tej me përfshirjen e dy universiteteve me bazë në Iowa: Universitetin e Iowa-s dhe Universitetin Shtetëror të Iowa-s, tha ai dhe shtoi se një fokus i veçantë do të jetë në programet e studimit të TIK-ut dhe bujqësisë, për t’iu përgjigjur nevojave specifike të tregut tonë të punës.
Bashkëpunimi ndërmjet sektorit publik, privat dhe shoqërisë civile është thelbësor për zhvillimin dhe zbatimin e politikave dhe strategjive efektive që adresojnë sfidat shoqërore dhe se një bashkëpunim i tillë promovon gjithashtu inovacionin dhe rritjen ekonomike dhe rrit cilësinë e jetës së qytetarëve tanë, tha kryeministri Kurti.
Qeveria jonë është e gatshme të bashkëpunojë në mënyrë që Kosova të shkëlqejë në të gjitha frontet. Ne kemi treguar përparim të jashtëzakonshëm në ndjekjen e agjendës sonë të reformës demokratike. Kjo është dokumentuar mirë nga raportet e organizatave ndërkombëtare gjatë dy viteve të fundit. Këtu do të përmendi vetëm disa nga sukseset. Raporti i BE-së për vitin 2022 për Kosovën tregon se nuk ka fushë pa përparim të dukshëm dhe nuk ka fushë me regres të vërejtshëm. Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i Transparency International tregon se Kosova është përmirësuar për 20 vende në vetëm dy vjet” tha Kryeministri.
Kryeministri Kurti gjithashtu u shpreh se Qeveria ka bërë gjithashtu investime rekord në arsim dhe punësim për të rinjtë, duke përmendur programet bachelor dhe master në universitetet tona publike, që tashmë janë pa pagesë. Ai tha se kanë financuar edhe tre mijë bursa për të nxitur studentët që të ndjekin arsimin e lartë, si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj.
Kryeministri Kurti njoftoi që janë në mes të krijimit të Agjencisë së Investimeve dhe Eksportit në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, në të cilën agjenci do të integrohet një platformë e inteligjencës së biznesit me më shumë të dhëna. Prandaj, tha Kryeministri Kurti, unë do t’ju inkurajoja ju dhe të gjitha projektet e tjera relevante të financuara nga donatorët që të bashkërenditen me përpjekjet tona për ndarjen dhe vlerësimin e të dhënave përkatëse.
Nënshkrimi i këtyre tri marrëveshjeve ndërmjet Universitetit të Iowa-s, dhe Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, dhe Universitetit të Pejës, “Haxhi Zeka”, u bë në prani të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, dhe drejtoreshës së USAID në Kosovë, Zeinah Salahi. /2LONLINE/