Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka takuar një delegacion i përbërë nga profesorë dhe studentë të Universitetit të Strasburgut. Gjatë takimit, Kurti i njoftoi profesorët dhe studentët për aktivitetet dhe punën e Lëvizjes Vetëvendosje, strukturën e saj organizative, metodat me të cilat vepron duke vënë në theks te moskufizimi i demokracisë vetëm te demokracia përfaqësuese, thuhet në një kumtesë të VV-së.
Duke folur në këtë takim Kurti tha se Kosova ka mungesë të sovranitetit për shtetin, mungesë të prodhimit për ekonominë dhe zbërtheu shkaqet strukturore të korrupsionit të lartë që kanë penguar zhvillimin dhe drejtësinë në Kosovë.
Kurti iu përgjigj pyetjeve të shumta të studentëve për dialogun Kosovë-Serbi dhe pasojat e tij, për mungesën e sundimit të ligjit dhe mënyrën e integrimit të pakicës serbe në shoqëri, si dhe për sfidat drejt integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.