Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri sot homazhe te varri i Fehmi Agani, në lagjen Arbëria në Prishtinë.
Kryeministri Kurti tha se sot në 22- vjetorin e rrëmbimit dhe vrasjes kriminale të profesor Fehmi Aganit, vendosen lule të freskëta te varri i tij dhe bënë nderim për figurën e tij, roli dhe kontributi i së cilit është i madh.
Si profesor, akademik dhe intelektual, Fehmi Agani, siç u shpreh kryeministri Kurti, kishte formim të thellë social dhe të lartë humanist, ndërkaq si veprimtar politik dhe si politikan udhëheqës ai ishte paqësor për nga karakteri dhe përparimtar për nga synimi.
“Profesor Agani ka lënë studentët e tij, të cilët janë edhe profesorë sot. Ka lënë veprat e tij që lexohen nga të gjithë, andaj padyshim që kontributi dhe puna e tij do të jehojë edhe në të ardhmen”, veçoi kryeministri Kurti.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Bashkë me Presidenten e Republikës znj. Vjosa Osmani erdhëm sot në 22- vjetorin e rrëmbimit dhe vrasjes kriminale të profesor Fehmi Aganit, të vendosim lule të freskëta këtu te varri i tij në Prishtinë dhe të bëjmë nderim për figurën e tij, roli dhe kontributi i së cilës është i madh.
Si profesor, akademik dhe intelektual, Fehmi Agani kishte formim të thellë social dhe të lartë humanist, ndërkaq si veprimtar politik dhe si politikan udhëheqës ai ishte paqësor për nga karakteri dhe përparimtar për nga synimi.
Profesor Agani e theksonte rëndësinë e mendimit në politikë dhe të argumentimit në mendim. Qysh më 29 maj të vitit 2019, ne patëm plotësuar e ndryshuar Kodin e Procedurës Penale për të mundësuar Prokurorinë tonë Speciale që të hetojë e më pas të kemi edhe gjykime e dënime në mungesë. Para dy javësh e bëmë edhe një avancim legjislativ të radhës dhe besoj që është koha e fundit që sistemi ynë i drejtësisë të veprojë, të punojë, në mënyrë që për vrasjet e shumta të regjimit kriminal të Jugosllavisë së Millosheviqit të fillojmë të kemi procese të drejta gjyqësore që sjellin drejtësi për të gjitha viktimat.
Profesor Agani ka lënë studentët e tij, të cilët janë edhe profesorë sot. Ka lënë veprat e tij që lexohen nga të gjithë , andaj padyshim që kontributi dhe puna e tij do të jehojë edhe në të ardhmen.