Sektori i Energjisë është jetik në zhvillimin e ekonomisë, e zhvillimi i ekonomisë është prioritet për qeverinë tonë, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në fjalën e tij në hapje të punëtorisë “Tranzicioni i drejtë energjetik në Kosovë”, të organizuar nga Ministria e Ekonomisë.
Kryeministri Kurti tha se sektori i energjisë duhet të shndërrohet nga një pengesë për zhvillimin e industrive dhe sektorit privat, në një mundësi të re fuqizuese për ta. Ai theksoi se Kosova është në fazën e rishikimit të Strategjisë së Energjisë dhe hartimit të Planit për Energji dhe Klimë, sipas së cilave do të merren vendime të rëndësishme që do të definojnë synimet tona në këtë sektor për dekadat e ardhshme.
Punëtoria dyditore “Tranzicioni i drejtë energjetik në Kosovë”, e organizuar nga Ministria e Ekonomisë, është punëtori e përbashkët për sektorin e energjisë dhe koordinimin e donatorëve në Kosovë. Ajo për qëllim ka informimin e vendimeve teknike dhe politike që do të merren gjatë procesit të finalizimit të Strategjisë Kombëtare të Energjisë.
Dita e parë e kësaj punëtorie është e fokusuar në prezantime të skenarëve të energjisë për Kosovën, duke përfshirë këtu prezantime nga studime të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Ministria e Ekonomisë, Zyra e BE-së në Kosovë, USAID, Qeveria Gjermane (GIZ/ KFW), Banka Botërore dhe EBRD. Dita e dytë do të fokusohet në projekte specifike të energjisë dhe do të përfshijë prezantime nga ana e Sekretariatit, MCC-së dhe Zyrës së BE-së në Kosovë. /2LONLINE.com/