Gjilan – (2LONLINE) – Drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan kanë paralajmëruar se do të jenë opozitë në Kuvendin Komunal të Gjilanit, ku sipas rezultateve preliminare, ky subjekt politik mund të përfaqësohet me katër këshilltarë, ndërsa sa i përket garës së balotazhit ku do të garojnë për kryetar komune Lutfi Haziri (LDK) dhe Qemajl Msutafa (PDK), ata kanë thënë se si subjekt nuk do ta mbështesin asnjërën kandidaturë.
Ismajl Kurteshi kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjilan ka thënë se, sa u përket zërave se Lëvizja Vetëvendosje në Gjilan do të hyjë në koalicion qeverisës me njërin ose subjektin tjetër që është në balotazh, Vetëvendosje nuk e ka pranuar ofertën për bashkëqeverisje e as për përkrahje të asnjërit subjekt.
“Jemi thellë të bindur se me hyrjen në bashkëqeverisje nuk i ndihmojmë Gjilanit, përkundrazi e lëmë komunën pa opozitën e cila i duhet komunës, sidomos në këtë situatë kur zgjedhjet nuk kanë ofruar zgjidhjen e duhur për Gjilanin. Me hyrje në koalicion ne do të arrinim t’i zëmë disa karrige drejtorësh e shefash, pa pasur mundësi për ta ndihmuar Gjilanin, e ky nuk është synim i joni, e as interes i Gjilanit. Për qëndrimin definitiv rreth hapave të ardhshëm të Lëvizjes Vetëvendosje do të diskutohet së shpejti në organet më të larta të Lëvizjes”, ka thënë Kurteshi.
Përndryshe, ai tha se i falënderon qytetarët për një proces të qetë dhe për dalje relativisht të mirë në zgjedhje, veçanërisht i falënderon qytetarët që me votën e tyre e përkrahën programin qeverisës të Lëvizjes, kandidatët e saj për këshilltarë komunalë dhe kandidatin për kryetar komune.
“Ndonëse nuk dolëm me rezultatin e pritur, ne falënderojmë komisionerët dhe vëzhguesit tanë që e mbajtën premtimin që do të kujdestarojnë dhe do të ruajnë votat e të gjithë qytetarëve, pa dallime partiake. Dhe kështu ndodhi të ruhet vota falë ndershmërisë së kujdestarëve tonë dhe nuk patëm proces si të vitit 2010, me vjedhje industriale. Ne pranojmë verdiktin e qytetarëve, ndonëse e themi edhe këtë: ndryshimi iu besua dikujt që shumë shpejtë qytetarët do të zhgënjehen, sepse ndryshimi nuk vjen nga njerëzit që janë përgjegjës për degradimin e komunës së Gjilanit nëpër vite”, ka thënë Kurteshi.
Sipas tij, Vetëvendosje ofroi një program të realizueshëm, që ofronte ndryshime të mirëfillta për Gjilanin, pa elemente klienteliste, e premtime të rrejshme, një program që garantonte qeverisje të ndershme, profesionale dhe të përkushtuar, program që garantonte sukses dhe një ekip të gatshëm për punë të palodhshme dhe për ballafaqim me sfidat ekzistuese.
“Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve nën presionin e nevojës për zgjidhje të shpejtë të nevojave të tyre, ranë në grackën e premtimeve klienteliste, që në të shumtën e rasteve do të mbeten vetëm premtime e si rrjedhojë, hallet dhe nevojat e qytetarëve do të shtohen. Sidoqoftë ne tani i kemi përfaqësuesit tanë në Kuvendin Komunal të cilët do të angazhohen maksimalisht për t’i mbrojtur interesat e qytetarëve”, ka thënë Kurteshi. /2lonline/
.