Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore po vazhdon me mirëmbajtjen, përkatësisht, pastrimin objekteve arkitekturore të cilat janë në mbrojtje të përkohshme.
Këto ditë, në kuadër të projektit për mirëmbajtjen, përkatësisht, pastrimin e objekteve arkitekturore i financuar nga MKRS,
QRTK ka bërë pastrimin e bimësisë rreth e përqark Kullës së Kadri Vehbi Zeqirit në fshatin Haxhaj. Duke qenë një objekt me një arkitekturë të veçantë të rajonit i duhet një kujdes më i madh, prandaj me këtë rast i janë larguar ferrat, drurë të ndryshëm, është kositur bari si dhe është hedhur preparat për tharjen tij. Kësaj kulle kohë më parë i është bërë renovimi, por asaj i duhet një mirëmbajtje e vazhdueshme, sepse duke mos qenë e banueshme ajo mbulohet shpejt me bimësi.
***
Kulla dykatëshe e Kadri V. Zeqirit gjendet në fshatin Haxhaj, 17 km në jug të Gjilanit.
Ky ndërtim u realizua në dekadën e tetë të shek. XIX, gjegjësisht në vitin 1880.
Kulla ka dy etazhe. Ka planimetri drejtkëndëshe. Në përdhes gjendet oda e mysafirëve dhe dhomat tjera përcjellëse për banim dhe ruajtje të ushqimit dhe të kafshëve. Në katin e parë është një ndarje e madhe – divanhanja e cila ka shërbyer për ndeja gjatë ditës, por nuk ka dalje jashtë nga muri perimetral. Kjo mund të quhet edhe çardak.
Ndërtimi është realizuar nga gurët gjysmë të latuar dhe të latuar, me teknikë fshatare të ndërtimit. Muret janë suvatuar me llaç balte. Trarët nga druri, të vendosura në rreth çdo 1 metër lartësi, krijojnë shtangim horizontal të strukturës së mureve. Kulla mbulohet më kulm katërujës, të mbuluar me qeramidhe tradicionale nga argjila. Në pamjen ballore të kulmit dalin edhe dy baxho që shërbejnë për ndriçim të kulmit.
Fasadat janë lineare, ku dinamikën e vetme e krijojnë hapjet e dritareve të vendosura në mënyrë ritmike. Karakteristikë e kësaj kulle janë dritaret, të cilat nga ana e jashtme kanë formë harkore në pjesën e sipërme, të punuar me kornizë nga guri, kurse nga ana e brendshme kanë formë drejtkëndëshe.
Në enterier janë ruajtur elemente origjinale, sikurse oxhakët dhe shtyllat e drurit me kapitel.
Kulla ruan nivelin e lartë të autenticitetit. Ajo është renovuar në vitin 2014.