(2L ONLINE) – Tani, të krenohesh me njerëzit e gjakut tënd të cilët kanë bërë sakrificën supreme, deri në flijim për atdheun, është legjitime dhe e drejtë që buron nga ana njerëzore e përkatësisë së njëjtë. Por, kush ma pushon mallin dhe ma heqë dhimbjen për njerëzit e mi të gjakut që më mungojnë?
S’ka asnjë mburrje patetiko-patriotike që e kompenson mungesën e njerëzve të gjakut tim si: Driton Arifi që u vra nga kriminelët serbe derisa po bënte përpjekje tok me kushërinjtë e vet, të organizonin mbrojtjen e katundit të tyre/tonit me ato mjete që kishin në dispozicion. Adem Arifit qe u vra në Bosnje në lufte kundër armikut të përbashkët, Serbeve. Pastaj Kastriot Arifi, që së bashku me dy vëllezërit e tije kishin qenë luftëtarë në radhët e UÇK-së, që më pastaj të shkoje e t’i bashkëngjitet radhëve të UÇPMB deri në rënien heroike të tije në betejën në mbrojtje të Rahovices. Si dhe Skifter Arifi i cili tok me vëllain e tij Flamurin, kishin ngjeshur radhët e UÇK-së, deri në çlirim, e që më pastaj të marrë rrugën e përjetësisë në luftën e fundit shqiptaro-sllavomaqedone, pas rënies së tij heroike në Sllupçan të Kumanovës.
*
Përkujtimi nuk më mjafton
ju kujtoj ju
edhe kur jam mirë e edhe keq kur jam
ty Skifter qielli atje lart
që bënë roje tokën mëmë
tok me Kastriotin
ishte dhe është rrjedhë
e një lumi krenarie në vazhdim
është
legjenda e fundit në radhë
Sot më 10 qershor 2014 mbushen plot 13 vite nga rënia e Skifterit më 10 qershor 2001. Akoma mbaj të freskët kujtimin e mbrëmjes së fundit kur ai erdhi në shtëpinë tonë, para të nesërmes kur ai mori rrugën e pakthyeshme, drejt e mu në mes flakëve të luftës që bëhej për kauzën kombëtare në trojet etnike shqiptare në Maqedoni.
Atë mbrëmje pas bisedës së gjatë që bëmë, e atij i pëlqente të bëje biseda të llojit filozofik për krijimin e krijuesin dhe kuptimin që mund të kishte vet ekzistenca si e tillë çfarë është, më tha: Kam ardhur edhe të kallëzoj se nesër kam vendosur të shkoj në lufte në Maqedoni!”
Mbasi dëgjova, të them të drejtën i shqetësuar nga ato që tha, i sugjerova që të pushojë pak sepse nuk ishte kohë e gjatë që ishte kthyer nga lufta e Kosovës dhe aktiviteti i tij në UÇPMB!
Por, a ka fjalë që e bindë një shpirt luftëtari të heqë dorë nga idealet e tija sublime? Jo, natyrisht se jo. “Unë nuk ndalem” më tha ai, derisa këmba e fundit okupuese sllave të mos shkele më mbi trojet tona. E deri në Çamëri do vazhdojmë”. Pastaj u ngrit e shkoi.
Te dyert e daljes u ndal dhe më përqafoi dhe me kërkoi t’ia bëja hallall. Po çfarë hallalli mor i thash ti do të kthehesh prapë. Ai vetëm buzëqeshi njëherë dhe u largua. Ishte hera e fundit që e pashë të gjallë, se për të ia dëgjuar zërin ia kishim dëgjuar edhe një herë para se të vritej kur unë dhe i ndjeri axha im Xim (babushi i Skifterit-Milazimi) nga telefoni fiks i shtëpisë sime kishim telefonuar dhe biseduar me të.
Gjatë bisedës që zhvilluam nuk na la për asnjë moment përshtypje se ishte në radhët e para të luftës por diku me pushime dhe plot humor dhe çiltërsi siç ishte gjithmonë ai!
Koha kaloi dhe një ditë na erdhi ai lajmi që s’donim as të mendonim se mund të na vije. Tani kombi ynë kishte edhe një hero më shumë! E ne kishim edhe një dhembje më shumë dhe mungesë të një njeriu të dashur për ne si dhe krenarinë që e kishim.
Pushka e tij e mori dhenë, vazhdoi i ati i tij axha Xim, por Skifterin s’ka gjë që e zëvendëson. Neve, vetëm na ngushëllon fakti që kishim një njeri modest dhe të mrekullueshëm e të urtë siç ishte ai, por me zemër dhe potencial të madh për t’i dalë zot vendit që ka rrënjë thellë në histori që nga Idriz Seferi e tutje, me përpjekjet politike dhe burgjet që tentonin thyerjen tonë e që në fakt vetëm sa shtonin urrejtjen dhe kalitjen që në fund rezultoi në rezistencën me shumë të rënë për Liri, deri te Skifteri.
Kur kaloj rrugës që mbanë emrin “Skifter Arifi” e kam vështirë të ndajë krenarinë nga dhembja që nuk të kemi! Por, është gjithsesi, përkujtim për ty. /Xhelil ARIFI / 2L ONLINE/