Mosmarrëveshjet të cilat ndodhën në Aleancën Kosova e Re (AKR), kanë bërë që Kujtim Shahiqi të ishte vetëm për pesë ditë nënkryetar i këtij subjekti, e tani ai ka vendosur që ta vazhdojë tutje rrugëtimin e tij politik, por jo më me AKR-në, por me një subjekt tjetër politik.
Shahiqi ka thënë për Portalin 2LONLINE, se që nga sot ai është anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Dega në Gjilan, ku tani e tutje mendon ta jep kontributin e tij politik në të mirë të shoqërisë gjilanase.
Shahiqi, i cili aktualisht drejton njësinë për Kulturë, në Komunën e Gjilanit, thotë se zgjodhi LDK-në pasi është një subjekt më serioz shtetformues, në të cilën ka gjetur hapësirën e duhur dhe ku mund ta jap kontributin e tij politik duke pas mbështetjen edhe të kryetarit të LDK-së, Lutfi Hazirit.
Në anën tjetër ai mori edhe besimin nga takimi i degës së LDK-së për të qenë i përfshirë në listën e kandidatëve për asamble komunale për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, ku ai pret të jetë i suksesshëm dhe nën siglën e LDK-së, të jetë përfaqësues i denjët i qytetarëve gjilanas.
“LDK, padyshim do të jetë subjekti politik që do të qeverisë me Gjilanin edhe për katër vitet e ardhshme, duke u bazuar në punët të cilët i ka kryer deri më tani. Unë pres nga të gjithë ata që më kanë mbështetur deri më tani, të vazhdojnë të më përkrahin, edhe më tutje, sepse do të jem gjithnjë zëri i tyre në asamblenë komunale”, ka thënë Shahiqi për 2LONLINE.