Një studim i bërë në Britani në vitin 2012 tregoi se vetëm 10% ose më pak e personave mbipeshë ishin të ndërgjegjshëm për këtë.
Nisur nga kjo ju tregojmë se si të kuptoni më mirë shenjat që trupi po jep në lidhje me mbipeshën.
Gërhitja
Nëse personat afër jush ankohen gjithnjë për gërhitjen e vazhdueshme gjatë natës atëherë kjo është një shenjë paralajmëruese e problemit. Mjekët thonë se në shumë raste gërhitja mund të provokohet nga mbipesha pasi trupi ka aftësi të akumulojë dhjam rreth qafës.
Djegiet në kraharor
Ndryshimet e shpeshta të peshës, sidomos shtimi i kilogramëve çon në zhvillimin e sëmundjeve si acidi refluks. Më shumë se një e treta e personave obezë apo atyre mbipeshë vuajnë nga sëmundje të stomakut si gatriti apo ulcera. Simptoma të tjera janë shije të hidhura në gojë, marramendje apo dhimbje të zonës së barkut.
Dhimbja e eshtrave
Obeziteti dhe mbipesha në shumë raste çojnë në sëmundje degjeneruese siç është osteoartriti që është edhe lloji më i përhapur i artritit. Dhimbja e kyçeve të këmbëve apo gjunjëve vjen si pasojë e peshës së madhe që trupit i duhet të mbajë. Ky presion i vazhdueshëm mund të çojë në dhimbje mesi, këmbësh, kyçesh dhe kriza të cilat e bëjnë lëvizjen normale të vështirë.
Lodhja e vazhdueshme
Pesha e shtuar ushtron vazhdimisht presion mbi gjymtyrët tuaja , por edhe brenda në organe. Ndaj nëse ndjeni vështirësi në frymëmarrje kur lidhni këpucët, pastroni shtëpinë apo kur kryeni aktivitete të përditshme keni probleme të mbipeshës.Sipas ekspertëve personat që shtojnë shumë kilogramë gjatë jetës së tyre kanë më shumë shanse të zhvillojnë edhe sëmundje astmatike. Kjo e bën të vështirë frymëmarrjen dhe kryerjen e proceseve të përditshme.
Si ta kontrolloni
Një nga mënyrat më të mira është të peshoheni në një farmaci, apo të masni vetë diametrin e belit tuaj. Mesatarisht sipas mjekëve beli tek femrat nuk duhet të jetë më shumë se 88 cm. Ndërsa tek meshkujt rekomandohet jo më shumë se 101 cm.
Masat që mund të merrni fillojnë drejtpërdrejtë nga dieta juaj e përditshme dhe aktiviteti fizik. Kujdesuni të qëndroni sa më larg brumërave apo ushqimeve shumë kalorike si sheqeri dhe konsumoni më shumë perime.Gjithashtu sigurohuni të bëni sa më shumë aktivitet fizik apo ecje të gjata në natyrë.
Kërcënimet për shëndetin
Mbipesha është një gjendje që mund të zhvillojë një sërë sëmundjesh të rrezikshme për organizmin. Kilogramët e tepërt mund të çojnë në sëmundje si diabeti, obeziteti, problemet me zemrës e shumë të tjera që mund të rrezikojnë shëndetin tuaj.