Ndonëse ata i nënshtrohen një konkurrence të fortë për të aplikuar për studime jashtë vendit, shumë prej tyre ia dalin, e që është edhe më e rëndësishme ata edhe po tregojnë rezultate të mira duke bërë kështu që të jenë përfaqësues tanë të denjët.
Por, përveç sfidave të shumta me të cilat ata ballafaqohen për të qenë atje ku janë, një brengë e madhe e tyre mbetet edhe më tej, çfarë pas studimeve. Derisa ka prej studentëve që kthehen në vendin e tyre pasi të kenë diplomuar, ka shumë të atillë që preferojnë të qëndrojnë diku tjetër, ku e pret një e ardhme më e mirë.
Moskthimi i të kualifikuarve, në mungesë të një perspektive në vend duhet ti alarmojë institucionet tona. Por, çfarë po ofrojnë institucionet tona në kuadër të lehtësimit dhe krijimit të infrastrukturës të rikthimit të tyre në vendlindje si dhe integrimit te tyre ne tregun e punës.
A po e shohin ata që po studiojnë jashtë vendit perspektivën në vendin e tyre, apo po u dorëzohen mundësive të mira që po u jepen atyre, posa të diplomojnë, në vendin ku po studiojnë apo në ndonjë vend tjetër. Sa po mundësohet gjenerimi i alternativave te punësimit për të sapodiplomuarit jashtë vendit. A po mungojnë politikat konkrete për favorizimin e kthimit e të kualifikuar në vend dhe shumë pyetje të ngjashme duan vërtetë përgjigje të drejtë.
***
Njëra prej studenteve gjilanase që studion jashtë vendit e që po tregohet e suksesshme në studime, e që Portali i Lajmeve Lokale mëton ta prezantojë, për të stimuluar kështu kudo prezantimet e gjilanasve që tregojnë suksese, qoftë në studime, qoftë në punë apo angazhime tjera, është edhe Rrezarta Ibrahimi.
Rrezarta Ibrahimi ka lindur më 06.08.1989, në Gjilan. Shkollën fillore e kreu në “Abaz Ajeti “, shkollimin e mesëm në shkollën amerikane të Kosovës ASK, kurse tani ka mbaruar vitin e parë në Charls University ( Dega e Farmacisë), në Hradec Kralove – Republika e Çekisë ku edhe po vazhdon shkollimin (50 për qind bursë nga Qeveria Çeke).
***
Rrezarta ndihet e lumtur që ju ka dhënë mundësia për të studiuar në një universitet të tillë që është i njohur edhe për faktin se aty kanë ligjëruar shkencëtar të kalibrit si Albert Ajnshtajni , Jaroslav Shtorkan e të tjerë. Ajo thotë të jetë duke e shfrytëzuar këtë rast më së mirë pasi po tregon performancë të mirë duke qenë studente e dalluar.
Rrezarta thotë se në universitetin Charls University – Dega e Farmacisë, ka edhe studentë të tjerë shqiptarë si Maltina dhe Blerina shkodran nga Prishtina që po ashtu janë përfituese e bursës (50 për qind) dhe se opinioni i përgjithshëm nga autoritetet e Universitetit për nxënësit nga Kosova është shumë i mirë dhe shprehen të kënaqur që kanë studentë nga Kosova pasi ata dallohen për të mirë.
Për Rrezartën është shumë e rëndësishme studimi jashtë vendit dhe shpreht se sa më shumë qëka studentë të rinj që dalin jashtë shtetit për studime, aq më mirë për shtetin sepse Kosova ka Universitete po jo edhe të nivelit të lart qysh janë Universitetet sikurse Harward, Charls, Franclin & Marshall, Drexel Universities, e Universitete të tjera të cilat janë në Top 10 Universitete botërore, e ku studiojnë edhe kosovar.
Me këtë rast, ajo sa për ilustrim përmend një rast ku në “Franklin and Marshall”, kemi një student gjilanas, Besim Osmani, e që studion mjekësinë, e që është edhe përfitues i bursës (70 për qind).
Ndryshe, kjo studente gjilanase thotë se p pas përfundimit të shkollimit mendon se të paktën 5-10 vitet e para të karrierës të mbetet në ndonjë vend të Evropës për punë të mëtutjeshme, pastaj të kthehet në Kosovë për të punuar ose në biznesin familjarë(farmaci) ose të nis vet ndonjë punë të re.
Ndonëse ende është në fazën e studimeve, megjithatë tani për tani ajo nuk e ka në agjendë që menjëherë pas diplomimit, të kthehet në vend, edhe pse e pranon se Kosovës i duhen kuadrot por e indinjuar Rrezarta shprehet se në Kosovë çdo gjë është e politizuar andaj ndihet skeptike se do të mund të marr një vend të mirë pune, pa pas interes dhe pa i përzier duart politika.
Për më tepër, ajo thotë se shteti duhet të investojë në studentët që studiojnë jashtë shtetit nëse dëshiron që pastaj ato kuadro të reja, ti kthehen Kosovës, ngase në këtë mënyrë si është tani nuk do të ketë interesim e të kualifikuarve që të kthehen në Kosovë.
Me këtë rast, Rrezarta përmend vetëm gjeneratën e saj, shokët e shoqet e saja, ku nga 20 sosh, 13 prej tyre janë duke studiuar nëpër Universitete më të mira të botës,janë përfitues të bursave nga Universitetet derisa, shteti nuk i ka ndihmuar aspak.
Për fund, Rrezarta shpreson se dijen e saj që do ta përfitojë gjatë studimeve te saja 5-vjeçare do ta shfrytëzojë për një të ardhme më të mirë të saj. por gjithashtu shprehet se gjithmonë do të jetë e gatshme për të ndihmuar edhe studentët e tjerë të cilët e dëshirojnë një gjë të tillë. /2lonline/