Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka pritur në takim drejtoreshën ekzekutive të Institutit për Ekonomi të Tregut të Lirë, Besa Zogaj-Gashin, me të cilën biseduan për bashkëpunimin dhe përkrahjen profesionale të këtij Instituti për komunën e Vitisë.
Posaçërisht, temë e këtij takimi ishin projektet që kanë të bëjnë me mbështetjen pozitës së të rinjve, si dhe fuqizimin e gruas dhe zhvillimin ekonomik.
Kryetari Haliti, u shpreh i gatshëm për bashkëpunim dhe ofroi angazhim për realizim të projekteve që kanë të bëjnë me të rinjtë dhe mbështetjen e grupeve të grave në zhvillimin ekonomik.
Ndërsa, drejtoresha e IETL-së, Besa Zogaj, e njoftoi kryetarin me aktivitetet e këtij Instituti, ku përmendi se së fundi, IETL-Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë në bashkëpunim me Talent Network Kosova kanë realizuar projektin “Trajnim dhe Praktikë në Punë”, e ku përfituesit janë trajnuar në Shkathtësitë e Buta, kurse pas trajnimeve përfituesit do referohen për trajnim dhe praktikë në vende pune në kompani të ndryshme të sektorit privat. /2LONLINE/