Profesori Skender Sherifi, një përkthyes, gazetar, shkrimtar… ka qëndruar sot në Viti, ku është pritur nga kryetari komunës Sokol Haliti së bashku me kabinetin qeveritar dhe kryesuesin e Kuvendit komunal.
Në takimin mikpritës, kryetari Haliti u shpreh se është shumë i nderuar që të jetë nikoqir për të mirëpritur një personalitet të njohur gazetarin e profesorin e respektuar Skënder Sherifin.
“Kjo vizita e sotme është e rëndësisë së veçantë, për shumë arsye. Skënder Sherifi është këtu për ta vizituar Vitinë sepse ka lindur këtu. Konkretisht në fshatin Beguncë në vitin 1954 dhe familja e tij kanë jetuar për afër dy vite në komunën tonë, për shkak se kanë qenë të përndjekur nga regjimi i atëhershëm komunist në Shqipëri, meqenëse babai i tij Shpend Sherifi ishte oficer i Mbretit Zog dhe ishte me origjinë nga Tropoja, ndërkohë që ka qenë i burgosur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës para se të lindej Skënderi, diku në vitin 1946-1951”, tha Haliti.
Më pas ai i bëri një përshkrim biografik të Skënder Sherifit, në veprimtarinë e tij jetësore dhe krijimtarisë letrare, në botimin e shumë veprave të përkthyera edhe në shumë gjuhë botërore.
Ndërsa në fjalën e tij përshëndetëse, shkrimtari e publicisti Skënder Sherifi, u shpreh falënderues për mikpritjen dhe organizimin e Institucioneve komunale, duke pohuar se është i lidhur me Vitinë, për faktin se është vendlindja e tij.
“Ne kemi jetuar në Beguncë, por nuk më kujtohet asgjë sepse kam qenë i vogël diku mbi 1 vjeçar kur familja ime ka emigruar në Belgjikë. Por mbaj mend fjalët e nënës sime që më ka rrëfyer për Beguncën dhe Vitinë. Jam i lidhur shumë me Kosovën, me Shqipërinë, sepse ka qenë amanet i babit tim që ta ruaj shqiptarizmin. Gjithmonë e ku do që jam paraqitur, jam prezantuar si shqiptar, duke ruajtur bazamentin e kulturës sonë të pasur kombëtare shqiptare”, ka theksuar Sherifi, duke porositur gjithë krijuesit, artistët, sportistët, këngëtarët e personalitete të fushave të ndryshme që jetojnë nëpër botë, që ta ruajnë identitetin, kulturën e traditën shqiptare, të jenë origjinaliteti i origjinës së tyre prej nga vijnë.
Ai gjithashtu përmendi faktin tjetër, siq e quajti, amanetin e dytë që i la ish presidenti historik Ibrahim Rugova, që veprat e tij të jenë thesar i letërsisë shqiptare në Shqipëri e Kosovë dhe kudo që jetojnë shqiptarët.
Sherifi i dhuroi një numër të konsiderueshëm ekzemplarësh të veprave tij, Bibliotekës së Qytetit të Vitisë.
Për krijimtarinë letrare e publicistike të Skënder Sherifit, foli edhe prof.dr. Isak Shema, i cili tha se krijimtaria e Skënderit, filloi në vitin 1970 dhe është zhvilluar në 3 etapa, si dhe karakteristikë e tij është poezia moderne.
Me këtë rast, kryetari Haliti e nderoi me një mirënjohje Sherifin për angazhimin e tij krijues që dha një kontribut të veçantë me përkthimet e tija nga gjuha frënge ne shqipe dhe anasjelltas, në njohjen dhe afirmimin e krijimtarisë së shqiptarëve të Kosovës në qarqet frankofone.
Gjithashtu, Haliti premtoi se vitin e ardhshëm, në kuadër të 70 vjetorit të lindjes së Skënder Sherifit, të mbahet një promovim i veprave dhe krijimtarisë jetësore, organizim ky që do të bëhet së bashku me Shoqatën e Shkrimtarëve “Ramadan Musliu” në Viti. /2LPONLINE/