Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka vizituar diasporën kosovare në Zvicër, vizitë kjo e cila u realizua me ftesën e Konsullatës së Kosovës në Zurich, e cila udhëhiqet nga Sami Kastrati, që vjen nga Kamenica.
I pari i komunës në këtë vizitë ka bashkëbiseduar me diasporën për arritjet, planet e së ardhmes dhe mundësive për investime në Kamenicë.
“Shumë i lumtur që kisha nderin të flas me diasporën kosovare në Zürich, ku kam mbetur i mahnitur nga pasioni dhe përkushtimi i këtij komuniteti të jashtëzakonshëm.
Gjatë kësaj vizite fantastike, kemi pasur mundësinë të takohemi me diasporën t’i prezantojmë arritjet dhe t’i paraqesim mundësitë e investimeve. Ndër të tjerash, vizituam teknoparkun më të madh në Zvicër, Shoqatën e Bizneseve dhe biznesin e suksesshëm Beriflapp që udhëhiqet nga bashkëvendas tanë.
Mikpritja dhe mirënjohja e Sami Kastratit dhe e Bejtush Fetiut e bënë këtë vizitë edhe më të veçantë, si dhe nuk mund t’i falënderoj sa duhet për këtë përvojë të mrekullueshme”, , ka thënë Kryetari Rahimaj.
“Mërgimtarët e kanë lënë vendlindjen në kërkim të një jete më të mirë, por që mbeten thellësisht të angazhuar për të ardhmen e komunitetit tonë. Mbështetja e tyre pa kushte dhe dëshira për të kontribuar në vendlindjen e tyre është një dëshmi e dashurisë dhe krenarisë që të gjithë mbajmë për Kamenicën dhe Kosovën.
Ne po punojmë së bashku për të sjellë këtë nivel të inovacionit dhe progresit në Kamenicë”, ka thënë Kryetari Rahimaj. /2LONLINE/