Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë për Shërbime Publike, Ambient dhe Inspektorat, Zotrim Kastrati, kanë vizituar njësinë Hidromorava, si dhe njësinë EcoHgjiena në Kamenicë.
I pari i komunës ka thënë se në këto dy vizita është njoftuar për rregullimin e çështjes së ujit në lagjen Çamëria, si dhe përfshirjen e disa fshatrave nën menaxhim të ndërmarrjes EcoHigjiena.
“Gjatë vizitës në njësinë Hidromorava me drejtorin Sherif Thaqi diskutuam për ecurinë e punëve për furnizim me ujë në qytet dhe fshatra. Po ashtu, diskutuam për kapacitetet e menaxhimit të kanalizimit, si dhe dëmet që u shkaktuan nga vërshimet e fundit tek sistemet që janë nën menaxhim të njësisë Hidromorava. Ndërsa, me menaxheren Shejnaze Masuria, diskutuam për përfshirjen e më shumë fshatrave nën menaxhimin e njësisë EcoHigjiena, si një ndër prioritetet tona të qeverisjes”, shtoi ai.
Ndërkaq, drejtori i Shërbimeve Publike, Zotrim Kastrati, tha se janë të përkushtuar që të gjejnë zgjidhje për problemet e qytetarëve që lidhen me ujë dhe mbeturina.
“Vazhdimisht jemi duke punuar që furnizimi me ujë në lagjen Çamëria të jetë në nivel të duhur. Po ashtu edhe përfshirja e më shumë fshatrave në njësinë e EcoHigjienës është njëra ndër synimet tona, ku presim shumë shpejt ta realizojmë”, ka thënë ai.
Në anën tjetër drejtori i njësisë Hidromorava, Sherif Thaqi, dhe menaxherja e njësisë EcoHigjiena në Kamenicë, Shejnaze Masurica, kanë falënderuar Komunën e Kamenicës për gatishmërinë që t’i ndihmojë këto dy njësi. /2LONLINE.com/