Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati së bashku me drejtorin e Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Naim Arifi, dhe zyrtarë të tjerë nga kjo drejtori kanë vëzhguar nga afër procesin e korrje-shirjeve tek bashkëqytetari Adil Shala në fshatin Topanicë, i cili është kombajner dhe fermer.
I pari i komunës, Qëndron Kastrati, duke i uruar suksese dhe bereqet të gjithë fermerëve tha se sot ka filluar zyrtarisht fushata e korrje-shirjeve në fshatin Topanicë.
“Fushatën e korrje-shirjeve e nisëm zyrtarisht në Topanicë, bashkë me drejtorin për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Naim Arifi, tek fermeri e kombajneri Adil Shala. Nga kjo fushatë pritet të korren 1650 ha grurë dhe 40 ha elb, ndërkohë që komisioni për korrje-shirje po zbaton me përpikmëri rregulloren për këtë proces. Vlen të theksohet se kemi 30 kombajna të angazhuara që i gjithë procesi të shkoj siç duhet. Stafi i drejtorisë së bujqësisë në krye me drejtorin Arifi, po bëjnë punë të jashtëzakonshme në përgatitjen dhe monitorimin e procesit të korrjes, për çka dhe i falënderoj. Fermerëve shumë suksese, e bereqeti ju shtoftë!”, ka thënë ai.
Ndërsa, Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Naim Arifi, tha se janë munduar çdoherë t’iu ofrojnë mbështetje të gjithë qytetarëve të Kamenicës të cilët kanë investuar në bujqësi.
“Sot zyrtarisht filluam fushatën e korrje-shirjeve në komunën tonë. Ne si komunë dhe drejtori jemi munduar që gjithmonë t’i ofrojmë ndihmë bujqve dhe fermerëve të cilët kanë vullnet për punë. Sektori i bujqësisë është një nga sektorët me më së shumti potencial në Komunën e Kamenicës. Të gjithë fermerëve punë të mbarë, dhe uroj që të kenë rendimente sa më të larta”, tha Arifi.
Gjatë kësaj vizite ata hapën fushatën nacionale të korrje-shirjeve në Kamenicë, ku sipërfaqe të realizuar në hektar për Grurë janë 1650/ha dhe për Elb 40/ ha.
Ndërsa rendimenti për Grurë 4000kg/ha dhe Elb 3000 kg / ha.
Gjithsej në Komunën e Kamenicë në korrje-shirje janë duke u angazhuar rreth 30 kombanja.
Vlen të theksohet se komisioni i kryesuar nga Almendina Kryeziu është duke monitoruar në vazhdimësi gjithë procesin. /2LONLINE.com/