Kryetari Haliti priti në takim menaxhmentin e KRU “Hidromorava”- shqyrtohet mundësia menaxhimit të ujësjellësit në fshatrat e komunës së Vitisë.
Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka pritur në takim kryeshefin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidromorava” Ymer Salihun me bashkëpunëtorë, për të adresuar çështjet thelbësore që lidhen me furnizimin e ujit të pijshëm dhe infrastrukturën e rrjetit të ujësjellësit në komunën e Vitisë.
Fokusi i bisedës ishte marrja në menaxhim e rrjeteve të ujësjellësit në fshatrat Sllatinë e Epërme, Sllatinë e Poshtme, Tërstenik, Sadovinë të Jerlive dhe Sadovinë të Muhaxherëve.
Njëkohësisht është biseduar edhe për kyçjet në rrjetin e ujësjellësit në Stubëll të Epërme, e po ashtu edhe në Fshatin e Ri, Ramjan, Radivojc e Devajë.
Kryetari Haliti ka shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit dhe ka kërkuar që sa më parë të bëhet ri funksionalizimi edhe i rrjeteve në fshatrat tjera dhe që qytetarët e komunës së Vitisë, njëherë e përgjithmonë të evitojnë problemin e ujit të pijes. /2LONLINE/