Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim një delegacion të Grupit të Evropës Juglindore të Parlamentit të Gjermanisë, të drejtuar nga Josip Juratoviq.
Në takim u diskutua për proceset aktuale në Kosovë, për marrëdhëniet midis dy vendeve dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror në fusha të ndryshme.
Kreu i Kuvendit e njoftoi delegacionin parlamentar gjerman me proceset nëpër të cilat po kalon vendi dhe punën e institucioneve të Kosovës për përmbushjen e detyrave që dalin para tyre në këto procese, me theks të veçantë, në rrugëtimin për t’u bërë pjesë e strukturave euro-atlantike.
Kryetari Konjufca vlerësoi se Gjermania ishte në krah të Kosovës dhe qytetarëve të saj në çdo fazë të shtetndërtimit e të zhvillimit dhe potencoi rëndësinë e kësaj përkrahjeje në sfidat dhe objektivat që vendi ynë ka para vetes, në aspektin e brendshëm, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar.
Udhëheqësi i delegacionit të Bundestagut, Josip Juratoviq, duke falënderuar kryetarin Konjufca për pritjen, vlerësoi miqësinë midis dy vendeve dhe popujve tanë, përderisa konfirmoi vazhdimin e mbështetjes së vendit të tij për Kosovën edhe në të ardhmen. /2LONLINE/