Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj së bashku me ekipin e tij ka pritur sot në takim Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave nga Republika e Shqipërisë, Ardit Bido me bashkëpunëtorë.
Në Kamenicë, si edhe në mesin e disa komunave të tjera në Kosovë, ka ardhur si projekt nga kjo drejtori Këndi Arkivor që përban dokumente të rëndësishme si nga Shqipëria por edhe Kosova.
Studiues të kësaj fushe, tashmë do të kenë mundësinë e kërkimit të këtyre dokumenteve nëpërmjet një kërkimi të thjeshtë në platformën e krijuar nga kjo drejtori të quajtur “Salla e Studimit Online”.
Këto dokumente nga programi në fjalë, mund të shkarkohen nëpërmjet një pagese simbolike që mund të kryhet online.
Në programin e përgatitur nga Drejtoria e Republikës së Shqipërisë gjinden më shumë se 20 milionë dokumente me rëndësi historike, në të cilat mund të ketë qasje secili/la. Në të njejtën kohë më shumë se 13,000 dokumente të skanuara i shtohen këtij programi në bazë ditore.
Në kuadër të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, hyjnë 95% e fondit arkivor të Republikës. Me krijimin e kësaj platforme interesimi i studiuesve është rritur për 2,5 herë.
Krijimi i platformës së tillë, është bërë duke ndjekur shembujt më të mirë të Europës, si dhe qëllim ka gjetjen më të lehtë të dokumenteve dhe studimin e tyre.
Drejtoria e Përgjithshme në Shqipëri dhe Komuna e Kamenicës, do të bashkëpunojnë edhe në projekte të tjera me rëndësi, gjë për të cilën përfaqësuesit e të dyja palëve u pajtuan përgjatë këtij takimi. /2LONLINE/