Kreu i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka postuar dhe po poston në profilin e tij, foto e video të projekteve që po realizohen këto ditë në komunën e Gjilanit, duke promovuar kështu, siç thotë ai, “punimet në çdo cep të komunës”.
Ai së fundi ka bërë me dije për rikonstruimin e rrugëve “Hasan Mekuli” dhe “Kadri Osmani”
Në vlerë rreth 1.1 milionë euro po bëhet rikonstruimi i rrugëve “Hasan Mekuli” në gjatësi prej 940m dhe “Kadri Osmani” në gjatësi prej 480m (ish rruga Enver Miftari), ka shkruar në profilin e tij, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni
Sipas tij, infrastruktura nëntokësore ka përfunduar dhe tani është duke u përgatitur trasea për asfaltim, kurse projekti përfshin: rikonstrumin e rrugës, rregullimin e trotuarit, rregullimin e kanalizimit fekal dhe atmosferik si dhe rregullimin e ndriçimit publik.
“Po vazhdojnë punimet në çdo cep të komunës”, ka thënë kryetari Hyseni.
Ai në profilin e tij ka ndarë edhe video që kanë të bëjnë me rregullimin e rrugës Gjilan – Kumanovë.
Ditë më parë, kryetari Hyseni ka thënë se edhe nga 4 çerdhe ekzistuese, Gjilanit po i shtohen edhe 3 çerdhe të reja.
“Pas përfundimit të çerdhes së re në fshatin Zhegër në muajin Shkurt të këtij viti, me intensitet të lartë po punohet në çerdhet: Qarku 1, Miresh dhe lagjen Arbëria. Jemi në proces të aplikimit për çerdhe të reja në fshatrat: Malishevë. Bresalc, Livoç i Epërm (adaptim) dhe “Livadhet e Arapit”.
“Jemi zotuar për vëmendje të veçantë ndaj arsimit”, ka thënë kryetari Hyseni.
I pari i Gjilanit, ditë më parë tregoi edhe për fillimin e punimeve në rregullimin e trotuareve dhe 70 shtyllave ndriçuese në fshatrat Demiraj-Haxhaj.
“Kërkesa prej gati 2 dekadash nga banorët e këtyre lokaliteteve, tani ka gjetur vëmendjen e merituar. Me trotuaret me gjatësi rreth 2km dhe gjerësi 1.5m si dhe 240 drunj dekorativë, do t’i dhurojmë këmbësorëve hapësirë të mjaftueshme për ecje në një ambient të gjelbër, e veçanërisht do të krijojmë siguri për nxënësit të cilët kalojnë çdo ditë këto rrugë për të shkuar në shkollë.
Vijon puna për investimin në të gjitha fshatrat”, ka thënë Hyseni. /2LONLINE/