Kuvendi Komunal i Gjilanit, nën drejtimin e Arianit Sadikut, kryesues, ka mbajtur sot seancën e radhës, ku ka shqyrtuar raportin financiar për periudhën janar-qershor 2022, raportin e Auditimit për pasqyrat financiare të Komunës së Gjilanit për vitin 2021, ka miratuar vendimin për themelimin e Komisionit për shqyrtimin e ankesave kundër vendimeve të Komisionit vlerësues të ofertave si dhe ka anuluar vendimin 01.Nr.016-46976, datë 28.04.2022 mbi dhënien e pronës komunale në shfrytëzim me kohë të caktuar për raste të veçanta.
Kryesuesi Arianit Sadiku tha se pas një konsultimi me shefat e grupeve janë dakorduar që seanca të ndahet në dy pjesë dhe të vazhdojë edhe të hënën, për shkak të numrit të madh të pikave, po edhe interesimit për ndeshjen e sotme në ‘Fadil Vokrri’, ku Drita luan me Antwerpin, në kuadër të Konferencë Ligës.
Duke dhënë përgjigje në pyetjet e ngritura prej këshilltarëve komunalë, kryesisht të opozitës, në një seancë mospajtuese në relacionet pozitë-opozitë rreth projektit të mbikalimit te tuneli, kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ka thënë se është evidente që projekti është hapur, nënshkruar dhe kontraktuar për një mbikalim në rrugën e Prishtinës, ndërsa mbikalim në këtë rrugë nuk ka.
Pra është projektuar diçka tjetër, ndërsa është ekzekutuar tjetër çka, ka thënë kryetari Hyseni.
Në lidhje me panairin, ai tha se ky është më shumë se panair, është brend ku ka biznese nga të gjitha trojet shqiptare, edhe nga diaspora.
Ndërkaq, sa i përket mënyrës së organizimit, kryetari Hyseni tha se për këtë ka vendos ekzekutivi, duke shtuar se komuna nuk ka obligime financiare.
‘Komuna nuk ka thuaj se asnjë obligim financiar sa i përket organizimit të panairit’, tha ai.
Në pyetjet tjera të këshilltarëve janë përgjigjur drejtorët komunalë Selvete Sylejmani (DA), Bajram Isufi (DBP), Aurora Osmani (DSHMS), Riad Rashiti (DBF) dhe të tjerë.
Raportin financiar e ka prezantuar drejtori i Buxhetit, Riad Rashiti, i cili ka thënë se barrë për Komunën e Gjilanit janë borxhet e trashëguara.
Sa i përket të hyrave vetanake, plani është tejkaluar për rreth 4 për qind, derisa shpenzimet operative janë zvogëluar, ka thënë ai.
Sipas opozitës, raporti paraqet një mashtrim optik nëse shikohet vetëm për nga shifrat.
Me mospajtime është diskutuar edhe Raporti i Auditimit, i cili, sipas opozitës, është i ndikuar politikisht, derisa pozita mendon se gjetjet janë reale dhe shqetësuese.
Kuvendi e ka miratuar edhe vendimin për komisionin e ankesave kundër vendimeve të Komisionit vlerësues të ofertave, në përbërje: Ekrem Kryeziu, Arbër Musliu, Valbona Bajrami, Elonë Zeqiri dhe Fatmir Shurdhani (shoqëria civile).
Të hënën, Kuvendi do të vazhdojë me raportin e kryetarit të Komunës për gjashtëmujorin e pare të këtij viti, raportin e punës për vitin 2021 të Komisionit Komunal të Aksionarëve në kompanitë publike lokale “Higjiena”, “Stacioni i Autobusëve” dhe “Tregu”, vendimin për emërimin e anëtarëve të Komisionit komunal të aksionarëve në NPL “Stacioni i Autobusëve”, “Tregu” dhe KRM “Ecohigjiena” në Gjilan si dhe propozim-vendimin për shpalljen e interesit publik për pjesën e parcelës nr.309-0 ZK Stublinë, për hapjen e varrezës për groposjen e kafshëve të ngordhura. /2LONLINE/