Aktivitetet në Komunën e Gjilanit për nder të 112 vjetorit të Ditës së Flamurit, kanë vazhduar me seancën solemne, homazhe te varrezat e dëshmorëve, vendosjes së gurthemelit për bustin e Hamdi Zymberit, një simbol i qytetit tonë dhe performanca-akrobacione në qendër
Në këto aktivitete ishin kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, bashkë me nënkryetaren, Leonora Morina Bunjaku, zv. ministrin e Mbrojtjes, Shemsi Syla, komandanti i Stacionit të Policisë në Gjilan, Agim Lipovica, ish- komandanti i ZOK-ut, Ahmet Isufi, deputetë nga Kuvendi i Kosovës, drejtorë, këshilltarë e zytarë komunalë, përfaqësues të subjekteve politike, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të shoqatave të UÇK-së, veprimtarë e qytetarë.
Kryetari i Gjilanit, tha se 28 nëntori na kujton krenarinë e kombit tonë, duke lidhur bashkë ngritjen e flamurit nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, shpalljen e Pavarësisë nga Ismail Qemali dhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari.
“Sot, me krenari nderuam këtë ditë të madhe përmes seancës solemne, homazheve për dëshmorët, dhe vendosjes së gurthemelit për bustin e Hamdi Zymberit, një simbol i qytetit tonë”, tha Alban Hyseni.
Sipas tij një moment i veçantë ishte edhe performanca e mrekullueshme nga fëmijët në Teatrin e Qytetit, të cilët përmes akrobacioneve dhe artit na sollën një mesazh frymëzimi dhe krenarie.
Në fjalën e tij pas homazheve te varrezat e dëshmorëve, kryetari Alban Hyseni, tha se këtu prehën ata që nuk u dorëzuan kurrë, ata që zgjodhën të luftonin me guxim për një Shqipëri të lirë, për njjë Kosovë të pavarur dhe për një komb shqiptar krenar e të bashkuar.
“Kjo ditë e shënuar ka një domethënie të veçantë”, tha Alban Hyseni.
I pari i Gjilanit, shtoi se dëshmorët që prehën këtu dhe kudo në trojet shqiptare, janë dëshmi e forcës e vendosmërisë së një populli që nuk u pajtua me padrejtësitë.
Më tej kryetari theksoi se përpara sakrificës së tyre ne përulemi me respekt e mirënjohje të thellë. Ata na kujtojnë përherë se liria nuk është e dhënë, por fitohet me guxim, gjak dhe sakrifica.
“Detyra jonë sot është që të ruajmë me dinjitet atë për të cilën ata e dhanë jetën, të forcojmë unitetin kombëtar dhe të punojmë pê të ardhmen e brezave që vijnë pas nesh”, tha Hyseni.
Kryetari i Gjilanit, theksoi se ky flamur që valvitet i lirë mbi Shqipërinë e Kosovën, është amaneti i tyre, por njëkohësisht edhe krenaria jonë.
Zëvendës ministri i Mbrojtjes Shemsi Syla, në emër të Qeverisë së Kosovës, tha se jemi mbledhur sot të bashkuar për të shënuar 112 vjetorin e pavarësisë, daljes në skenë të UÇK-ë dhe të ditëlindjen e kryekomandatit legjendar Adem Jashari.
Ndërsa ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, tha se kjo ditë na bashkon të gjithëve dhe na bënë të ndihemi krenar, sepse nëntori është muaji i shqiptarëve që ka bërë rrjedhën e fuqishme të historisë në etapa të ndryshme.
“Ky kompleks që për ne është i shenjtë dhe do të jetë i tillë edhe për breza. Me fjalë nuk mund të bëjmë shumë, por me vepra të përditshme që mund ti bëjmë për atdheun”, tha Ahmet Isufi. /2LONLINE/