Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim veprimtarin dhe kryengritësin për të drejtat e shqiptarëve, Ibrahim Arifi, të cilin e ka falënderuar për kontributin e tij 60-vjeçar dhe të familjes Arifi, në mënyrë që shqiptarët të jetojnë të lirë dhe të bashkuar.
Kreu i Gjilanit tha se është rast unikat që babai e merr pushkën e djalit të vrarë dhe i bashkohet luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, siç ka ndodhur me nipin e tij, Skifter Arifi, i cili ra dëshmor dhe lutftën e vazhdoi babai i tij, veprimtari i madh, Milazimi.
Ndërkaq, veprimtari për çështjen kombëtare, Ibrahim Arifi, e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen, kontributin për lirinë e shqiptarëve dhe vlerësimin, nderimin e kujdesin për familjen Arifi si dhe për figurën e kolosit të shqiptarëve, Idriz Seferi.
Në fund, veprimtari Arifi ia dhuroi kryetarit Haziri librin e tij “Kujtime jete”.