Në pesëmbëdhjetë vjetorin e vdekjes së presidentit historik të Kosovës dhe në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit 2021” në Gjilan është mbajtur akademi përkujtimore për presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, ku për jetën dhe veprën e të cilit kanë folur kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, publicisti e kritiku Sabit Rrustem dhe kryeministri në detyrë në Qeverinë e Kosovës, Abdullah Hoti.
Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, pasi ka theksuar se është i nderuar me mbështetjen e planeve zhvillimore për komunën e Gjilanit nga ana e kryeministrit Abdullah Hoti, derisa siç tha ai, sivjet “Flaka e Janarit 2021” po shënohet më ndryshe, në pandemi që e ka kapluar botën, para zgjedhjeve e në kohë dimri, kurse Gjilanin e mblodhi figura e Ibrahim Rugovës.
Ai ishte njeriu që realizoi ëndrra dhe la trashëgimi lirinë e Kosovës, pavarësinë, demokracinë dhe butësinë e urtësinë politike dhe shumë vlera të tjera.
Haziri, duke vlerësuar veprën e dr. Rugovës, tha se ai ishte njeri i pajtimit e urtësisë, kreator e ideator i pavarësisë së Kosovës dhe nuk lejonte që të mos e duam njëri-tjetrin. Ai në kulturën tonë politike solli falënderimin, ndaj njerëzve që punonin për ne. Ai nuk e pranonte mohimin, refuzimin e lëndimin.
“Ibrahim Rugova edhe mohuesit, kundërshtarët i ka gjunjëzuar para varrit dhe veprës së tij. Ai pati rol fisnik e politik. Ai pos familjes së tij politike, i deshti edhe të tjerët. Ne të gjallët ia kemi për borxh vlerës që la për këtë vend e këtë popull. Do t’i qëndrojmë prapa këtij vizioni. Rugova thoshte se kompromis i dhembshëm, por i drejtë është pavarësia e Kosovës e atë e ndërtoi me vizion e veprim të urtë”, tha Haziri, që shtoi se ideologjia e Rugovës u godit e po goditet, por një është e vërtetë se ai do të mbetet njeri i mendimit, njeriun e librave, njeriun e pavarësisë.
Haziri, tha se vazhdojmë që me durim e butësi ta qojmë Kosovën përpara, ashtu siç bënte Ibrahim Rugova. Kjo është vlerë e Kosovës.
“Ai ishte institucionalit i pa përmirësuar, ai na bëri që të besojmë në shtet e në ëndrrën që e realizuam bashkërisht, duke e quar Kosovën përpara me besim në Zot, atdhe e familje”, ka thënë Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit.
Për jetën dhe veprën e Ibrahim Rugovës, kujtime evokoi publicisti e letrari Sabit Rrustemi, i cili pasi ka folur biografinë e presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ka shtuar se Ballkani nuk kishte një njeri të tillë si Ibrahim Rugova, i cili ishte i vetmi presidenti historik, të cilin të tillë e zgjodhi disa herë populli e Kuvendi i Kosovës.
“Ai u pranua e u njoh si president edhe në Kosovën e robëruar e atë të lirë. Ai ishte letrar, studiues e kritik letrar, prijës i një elite të re intelektuale. Ai ishte kryetar i LDK-së, lëvizja më e madhe në Ballkan, ai pandalshëm e pareshtur me urti e dije u bë zë i artikuluar i shqiptarëve të Kosovës, ishte prijës i lëvizjes paqësore, në vizionin për liri, pavarësi e demokraci. Ai u shndërruar prijës i Kosovës dhe i shqiptarëve, fati i tij ishte fati i popullit. I urtë, u angazhua ta nxirrte Kosovën nga kthetrat serbe. Ai të gjithë i bëri të gjithë për vete”, tha Rrustemi, që shtoi se Rugova trasoi rrugën për të ardhur deri te liria e pavarësia e Kosovës. Ai ishte tolerues, unifikues e njeri i paqes.
Ai i qëndroi besnik filozofisë së tij, ai i zbuti edhe rivalët e tij të përbetuar, ishte fitues i të gjitha zgjedhjeve, populli i besonte jetës dhe veprës së tij, tha Rrustemi, që shtoi se ai kurrë nuk lëshoi pe nga kërkesa pa pavarësi, insistonte për kufij të hapur e lëvizje të lirë, drejt integrimeve evropiane dhe e thoshte hapur se integrimet shqiptare bëhen në Evropë.
“Ai është baba i këtij shteti, të tillë çfarë e kemi”, tha Sabit Rrustemi.
Kryeministri në detyrë, Abdullah Hoti, në këtë Akademi Përkujtimore, ka theksuar se Rugova ishte ideator dhe themelues i Republikës së Kosovës. Sipas Hotit, Rugova ruajti kohezionin e brendshëm, shumë të nevojshëm dhe krijoi miq për Kosovën. Rugova gjatë tërë veprimtarisë së tij i qëndroi besnik parimeve të veta, ishte realist, me vizion për kohën për kohën kur jetoi. Ai u kritikua brenda vendit për politikën paqësore e jashtë vendit për kërkesa maksimaliste, por ai ishte njeri i paqes e humanizmit e dijes, për ruajtjen e substancës nacionale. Ai ritheksonte se shqiptarët do të dinë të mbrojnë pragun e shtëpisë, pragun e Republikës. Rugova nuk hoqi kurrë dorë nga Kosova e lirë dhe e pavarur, ai refuzonte zgjidhje që cenonin pavarësinë e Kosovës.
“Sot Kosova identifikohet me emrin e Ibrahim Rugovës, ai ishte prijës e krijues i një fryme nacionale në Kosovë, ai bëri epokën, u shndërrua në simbol të pavarësisë së Kosovës. Bota na njohu falë tij”, tha kryeministri Abdullah Hoti, që cilësoi Rugovën si model lidershipi e shembull të një udhëheqësi besnik të popullit të vet dhe që bota e donte dhe nderonte si burrështetas.
Kryetari i Gjilanit, në shenjë mirënjohje për veprën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Ibrahim Rugovës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës i ndau familjes mirënjohje, të cilën e pranoi vajza e tij, Teuta Rugova.
Akademia ka vazhduar me programin artistik të Shoqatës Kulturore-Artistike Clasicos nga Gjilani. /2LONLINE.com/