Në lokalitete të ndryshme të komunës së Vitisë, janë duke u realizuar projekte, ecurinë e punimeve në to i ka parë nga afër kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti.
Ai sot për së afërmi ka parë punimet në projektet infrastrukturore që janë duke u zhvilluar në qytetin e Vitisë, konkretisht për skaj të lumit “Morava e Binçës”, nga kisha Ortodokse deri të objekti i “Gorenjes”, si dhe pjesën tjetër në daljen e qytetit në drejtim të Kllokotit, hapësirën para shkollave të mesme, përfshirë parkingun.
Gjithashtu ai ka vizituar punimet në objektin e vjetër të shkollës së mesme teknike profesionale “Jonuz Zejnullahu” në Viti, ku janë duke u zhvilluar punimet në renovimin e këtij objekti që do të shndërrohet në inkubator biznesi.
I pari i Vitisë tha se kjo komunë për disa vite ka ndryshuar për së miri dhe me realizimin edhe të këtyre projekteve jo vetëm se do të bëhet më e bukur, por edhe më e qasshme për qytetarët.
Haliti tha se qeverisja e tij mbetet e përkushtuar të realizoj projekte të shumta në gjithë territorin e komunës së Vitisë dhe në interes të gjithë qytetarëve të saj. /2LONLINE/