Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti është pritur sot në takim nga kryetari i komunës Kirchhain të Gjermanisë, Olaf Hausmann dhe bashkëpunëtorët e tij. Në takim dy kryetarët në një ceremoni rasti nënshkruan marrëveshjen e binjakëzimit mes tyre.
Me këtë rast kryetari Haliti, theksoj se për komunën e Vitisë, zyrtarizmi i këtij bashkëpunimi përmes binjakëzimit është shumë i rëndësishëm, duke përmendur që dy komunat janë duke bashkëpunuar që një kohë të gjatë mes veti.
“Për komunën e Vitisë zyrtarizmi i binjakëzimit është shumë i rëndësishëm. Dy komunat tona bashkëpunojnë mes veti që disa vjet dhe atë fillimisht në kuadër të përmbushjes së objektivave për zhvillim të qëndrueshëm sipas Agjendës 2030 të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Ndërkaq bashkëpunimi në këtë fushë kishte nisur qysh në vitin 2017 por tani po e zyrtarizojmë edhe me një dokument të shkruar, por në fushat e ndryshme në interes të dy komunave”, u shpreh kryetari Haliti.
Përndryshe më parë komuna e Kirchhainit ka votuar me shumicë votash pro binjakëzimit me Vitinë. Edhe komuna e Vitisë, pritet ta dërgoj për votim propozim vendimin për binjakëzimin e Vitisë me Kirchhainin. Bëhet me dije se komuna e Kirchhainit ka mbi 16 mijë banorë. /2LONLINE/