Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti po merre pjesë në forumin e lartë politik me titull “Koordinimi në mes të nivelit lokal dhe qendror të qeverisjes për zbatimin e Agjendës 2030”, ku para të pranishmeve ka folur lidhur me punën që po bënë komuna e Vitisë në përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe atë me partnerin e saj me një komunë gjermane.
“ Bashkëpunimi në kuadër të Agjendës 2030 të Kombeve të Bashkuara, ka filluar se pari në komunën tonë konkretisht prej fshatit Smirë e Vitisë me fshatin Kleinselheim të Gjermanisë. Më pas ky bashkëpunim është ngritur në nivel lokal, saktësisht në mes të Komunës së Kirchhain të Hessenit të Gjermanisë me komunën tonë. Ky bashkëpunim ka marrë edhe miratimin e dy kuvendeve komunale duke thyer kufijtë dhe duke punuar bashkërisht në arritjen e një partneriteti të qëndrueshëm. Bashkëpunimi në mes të Vitisë dhe Kirchhain është mbështetur nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Gjermanisë “, u shpreh kryetari Haliti.
Ai mandej pati një porosi për pjesëmarrësit lidhur me plotësimin e objektivave të paraparë.
“ Objektivat për zhvillim të qëndrueshëm janë përcaktuar në vitin 2015, por të gjithë ne kemi edhe shumë punë për të bërë që ti plotësojmë ato dhe të krijojmë një mirëqenie për të gjithë në planetin tone. Prandaj ne duhet të përshpejtojmë dhe bashkëpunojmë pa dallime që të arrijmë objektivat e paraparë për vitin 2030”, tha kryetari Haliti. Ai kërkoj nga të gjithë përfaqësuesit e organizatave dhe institucioneve të pranishëm që të krijomë urat e koordinimit në mes të nivelit lokal dhe atij qendror dhe që të punojmë me angazhim maksimal në arritjen e objektivave të paraparë. Përndryshe komuna e Vitisë është ndër komunat e para në nivel vendi që ka filluar të punoj në plotësimin e 17 objektivave të Agjëndës 2030. /