Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur sot në takim pjesëtarë të policisë së Kosovës, nga stacioni policor në Viti, si dhe nga policia Regjionale në Gjilan, të cilët kanë prezantuar raportin vjetor të punës për vitin 2022.
Në këtë takim, të pranishëm ishin komandanti i Stacionit Policor në Viti, kapiten Afrim Halili, drejtori i policisë Regjionale në Gjilan, kolonel Agron Rukiçi, drejtori i Hetimeve Rajonale, Remzi Azemi, përfaqësues e pjesëtarë të policisë në Viti, përfaqësues të institucioneve lokale, përfaqësues të bashkësive fetare, përfaqësues lokal të akterëve të sigurisë dhe përfaqësues nga shoqëria civile.
Me këtë rast kryetari i komunës, Sokol Haliti, tha se këtë janar të këtij viti e bënë unik dhe e veçon ky prezantim i raportit vjetor të punës, i Stacionit Policor në Viti,
“Për shkak të kushteve të sigurisë dhe punës së palodhshme të policisë, të cilët veprojnë, ballafaqohen dhe ndërhyjnë edhe me mjete të fundit në parandalimin dhe ruajtjen e jetës, pronës dhe pasurisë së qytetarëve vitias, Vitia është qyteti i cili nuk ka pasur asnjë vrasje në vitin që po e lëmë pas. E falënderoj publikisht policinë, prokurorët dhe gjyqtarët për punën e madhe dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm”, u shpreh Haliti.
Komandanti i Stacionit Policor në Viti, kapiten Afrim Halili, para të pranishmëve ka falënderuar komunën e Vitisë për bashkëpunimin e vazhdueshëm, dhe tha se këtë hap e ka marrë për të qenë sa më transparent për qytetarët vitias.
“Publikimin e raportit të punës po e bëjmë për të qenë sa më transparent ndaj qytetarëve vitias, dhe me këtë rast falënderoj kryetarin Haliti dhe institucionet komunale, për bashkëpunimin e vazhdueshëm. Duke pasë parasysh që komuna e Vitisë ka nacionalitete dhe konfeksione të ndryshme, viti 2022 është shembull i bashkëjetesës së mirë. Ky vit që e lamë pas, punën e stacionit policor në Viti e karakterizon me një përkushtim, profesionalizëm dhe suksese të zbardhjes së rasteve. Marrë në përgjithësi, mund të them se kemi arritur t’i përmbushin me përpikëri objektivat e përcaktuara”, ka thënë kapiten Halili, duke shtuar se asnjë incident nuk është shënuar me motive ndërfetare dhe ndëretnike.
Ndërsa drejtori Rajonal i Policisë në Gjilan, kolonel Agron Rukiçi, theksoi se ndihet mirë me rezultatet e mira të stacionit policor në Viti, dhe se rajoni i Gjilanit është rajoni më i qetë në Kosovë.
“Rajoni i Gjilanit është rajoni më i qetë në Kosovë. Qëllimi ynë primarë është të ofrojmë shërbimë në parandalim dhe natyrisht e gjithë kjo arrihet me bashkëpunim të mirë me institucionet komunale, qytetarët dhe akterët lokal të caktuar për siguri. Këtë vit e veçon çështja që nuk kemi pasur asnjë rast të vrasjeve, por mbeten shqetësuese rastet e përdorimit të drogave”, u shpreh Rukiçi.
Ndërsa krejt në fund, kryetari Haliti ka nderuar me mirënjohje komandantin e policisë së Stacionit në Viti, kapiten Afrim Halili dhe drejtorin e Policisë Regjionale në Gjilan, kolonel Agron Rukiçin, nga të cilët edhe ka pranuar një mirënjohje në shenjë falënderimi për bashkëpunim.
Poashtu me mirënjohje janë nderuar edhe disa pjesëtarë të dalluar për vitin 2022, të policisë së Kosovës, Stacioni në Viti. /2LONLINE/