Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, i cili ka hyrë në muajin e dytë të mandatit 4-vjeçar, ka hapur sot dyert e Komunës për qytetarë, për t`i pritur e dëgjuar nevojat dhe shqetësimet që kanë ata.
‘Kemi premtuar afërsi, respekt e angazhim maksimal për qytetarët, andaj sot i filluam takimet e para me ta, me ç`rast i dëgjova e mirëkuptova të gjitha nevojat, shqetësimet dhe kërkesat e tyre’, ka thënë Hyseni.
Ai ka premtuar se në bazë të mundësive që ka Komuna, me seriozitet maksimal do të trajtojë çdo problem të qytetarëve.
‘Me qëllim të informimit të drejtpërdrejtë me problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët, si dhe marrjes së propozimeve të tyre për zgjidhjen e çështjeve të ngritura, e që janë kompetencë e ekzekutivit komunal, kjo metodë e komunikimit dhe bashkëpunimit do të vazhdojë të ndiqet edhe në të ardhmen’, ka thënë kryetari Alban Hyseni. /2LONLINE/